Biberaj: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, situata e krimit në vend alarmante

50

Aleksander-Biberaj-14PrillIsh deputeti demokrat Aleksandër Biberaj ka lëshuar një apel për mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në vend nga Presidenti Nishani, pasi krimi po merr përmasa të frikshme dhe jeta e qytetarëve nuk është më e sigurt.

Presidenti i Republikës z. Nishani duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare!

Të nderuar miq!

Në situatën e krijuar gjatë ditëve dhe javëve të fundit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku krimi po godet çdo ditë jetë të pafajshme qytetarësh, më shumë dashamirësi dhe larg çdo sfondi politik, do t’i sugjeroja Presidentit të Republikës z. Nishani, si komandant i forcave të armatosura por edhe si përfaqësues i unitetit kombëtar, që të thërriste një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë mbledhje ku merr pjesë Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror si dhe drejtues të institucioneve të tjera përgjegjëse, mund të ftohej edhe lideri i opozitës z. Rama (me statusin e kryeministrit të ardhshëm), në mënyrë që secili të merrte përgjegjësitë e veta dhe të ushtronte këto përgjegjësi deri në afatet që përcakton Kushtetuta. Dihet që në rastet e rotacioneve politike, por edhe në kushtet kur ka një proces të tejzgjatur tranzitor 2-3 mujor për ndërrimin e qeverive, ka tendenca për shthurjen e shtetit dhe krimi gjen terren të favorshëm”.