Biberaj shpall kandidaturën për kreun e PD-së

14

59biberaj1Aleksandër Biberaj ka shpallur kandidaturën për kreun e PD-së. Në një lajmërim në rrjetin social facebook, Biberaj deklaron se e vetmja gjë që kërkon është një garë e ndershme, gjë që ka munguar gjithë këto vite brenda PD-së.

Të dashur miq demokratë!

Pas inkurajimit që kam marrë gjatë këtyre ditëve nga shumë demokratë në të gjithë Shqipërinë, kam vendosur të shpall kandidimin për kryetar të Partise Demokratike të Shqipërisë. Nëpërmjet kandidimit tim synoj të ringjall vlerat më të mira të demokracisë, të institucionalizoj mirë-funksionimin e demokracisë së brendshme, bazuar në konkurrencën e ndershme, në meritokracinë dhe kontributet e gjithseicilit, sipas modelit të Partive Popullore Europiane. 

Synoj gjithashtu që të bashkoj të gjithë demokratët në këto ditë të vështira, duke respektuar vlerat dhe kontributin e gjithsecilit, pasi nuk ka demokratë të tepërt në PD dhe kundërshtari ynë i përbashkët nuk është brenda nesh. I siguroj të gjithë mbështetësit dhe të gjithë demokratët se po punoj intensivisht për të hartuar një platformë serioze, thellësisht në frymën e idealeve të Dhjetorit ‘90. E gjitha që kërkoj është vetëm një garë e ndershme, gjë që na ka munguar gjithë këto vite brenda PD-së. Në përfundim të një gare të ndershme, unë do të njoh rezultatin, cilido qoftë ai dhe do të punoj, siç di unë të punoj, në mbështetje të programit fitues. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për rikthimin e PD-së në pushtet, në emër të interesave të Shqipërisë”,– deklaron Biberaj në Facebook.