Berishizmi dje, sot dhe nesër

88

sali-berisha_5Nga Viktor Malaj

“Nuk ka më të zinj se komunistët antikomunistë”

Vaclav  Havel

Kur përdorim termin berishizëm, fillimisht mendja të shkon tek ndonjë ideologji apo doktrinë filozofike. Por në rastin konkret, siç do të përpiqem të shpjegoj më poshtë, kemi të bëjmë me diçka krejt tjetër. Kur u fut në politikë, kur bëri lutje për t’u pranuar në radhët e Partisë Komuniste në vitin 1968, Sali Berisha ishte një kuadër i ri i mjekësisë por me ambicie të fshehta edhe jashtë sferës profesionale. Dëshirat e tij për të qenë mbi të tjerët dhe për të komanduar të tjerët i ka kamufluar me kujdes gjatë regjimit komunist. Por, nga ana tjetër, ka shfrytëzuar çdo mundësi për t’i rënë në sy nomenklaturës komuniste si njeri i zellshëm, jo vetëm në profesion, por edhe në çështjet partiake e politike. Periudha e pas vitit 1990 na ka dhënë prova të pakundërshtueshme se devotshmëria e tij e shtirë ndaj Partisë Komuniste dhe sistemit politik përkatës ka qenë trampolina nga ku ai mendonte të ngjiste shkallët e hierarkisë politike.

Kur sistemit politik komunist i erdhi çasti historik të binte, Sali Berisha e nuhati se ky çast  mund të ishte shumë i favorshëm për të arritur si antikomunist atë që nuk kishte mundur apo s’kishte pasur kohë ta arrinte si komunist fanatik. Prandaj, kthimi i tij nga mëtues për t’u ngjitur në kastën sunduese komuniste në “prijës” të studentëve të rebeluar ishte në përputhje me karakterin dhe ambiciet e tij për pushtet. Me bekimin dhe artificet e sundimtarëve të kohës ai u bë përkrahës i studentëve të ngritur në protesta. Ky është çasti i fillimit të berishizmit.

Berishizmi lindi si antikomunizëm dhe mbeti në atë stad edhe sot e kësaj dite. Ai nuk karakterizohet prej kurrfarë idesh, as idealesh, por vetëm prej sjelljesh politike dhe ordinere, që, për 23 vjet, janë frymëzuar nga aleanca e politikës me lumpenin. Në thelb, berishizmi është shfrytëzimi i momentit historik për të arritur dhe mbajtur pushtetin me çdo kusht. Mjetet kryesore për arritjen e pushtetit ishin demagogjia dhe aleanca me këdo që, në mungesë të plotë të skrupujve moral, është i gatshëm të veprojë fshehtas dhe haptazi në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, për ta përjetësuar pushtetin.

 

Berishizmi deri dje

Mendoj se disa prej karakteristikave të berishizmit të deritanishëm janë:

1. Falsiteti. Berishizmi ishte dhe mbetet fals në tre aspekte. Në aspektin e kohës kur lindi ai ishte fals sepse lindi si antikomunizëm kur pa në shtyllë njoftimin për vdekjen e sistemit. Në atë kohë nuk kishte nevojë për kurrfarë heroizmi ngaqë ishte njëlloj sikur të luftoje kundër një ushtrie të vetëdorëzuar. Regjimi komunist, duke e ditur se nuk kishte kurrfarë shpëtimi, kërkoi Eutanazinë e vet, domethënë një fund më të shpejtë dhe me më pak dhimbje për vete dhe drejtuesit e tij. Së dyti, berishizmi ishte fals edhe nga fakti se kush ishin bartësit e tij. Flamurtarët e parë ishin ose individë që kishin bërë dikur lutje për pranim në parti dhe ishin përbetuar për besnikëri ndaj sistemit dhe doktrinës udhëheqëse, ose të lindur dhe të rritur në familje të tilla. Pakënaqësia ndaj sistemit ishte reale dhe e drejtë për cilindo, por marrja e shpatës kundër atij që ndodhej në grahmat e fundit ishte hipokrizi dhe pafytyrësi njëkohësisht. Madje, kur bëhej nga vetë shërbëtorët e sistemit, ishte edhe burracakëri ekstreme. Së treti, berishizmi rezultoi fals edhe në aspektin e objektivave që shpallte se do të arrinte. Ai mund të ketë arritur gjithçka tjetër por jo vendosjen e një shteti demokratik, çfarë ishte edhe kredoja e tij.

 

2. Populizmi. Berishizmi lindi si populizëm sepse e gjeti të gatshme këtë “armë”. Gjithë çështja ishte ta përdorje pa vonesë dhe pa kurrfarë skrupulli në rrugën drejt pushtetit. Nëse ka një gjë, për të cilën do të kujtohet gjatë berishizmi, kjo është manipulimi dhe keqpërdorimi i turmave në luftën politike, madje edhe kur është vetë në pushtet. E, megjithëse berishizmi shfaqet më qartë dhe më suksesshëm nëpërmjet populizmit, për hir të së vërtetës, duhet thënë se kjo sjellje politike nuk ka gëzuar kurrë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve. Në zgjedhjet e para pluraliste (1991) kjo lëvizje mori 1/3 e votave. Si lëvizje e re dhe e panjohur, nuk mund të fajësohet, madje kjo sasi votash i duhet njohur si meritë. Në zgjedhjet e parakohshme, të imponuara dhe të dhunshme të vitit 1992 mori gati 2/3 e votave. Ishin vota të imponuara, duke i vënë shqiptarët para alternativës “O votën, o bukën e fëmijëve! O votën, o jetën….”. Ishte koha kur, për hir të ardhjes sa më shpejt në pushtet dhe nën instruksionet ekspertëve të Krimit Politik me përvojë ndërkombëtare, berishizmi paralizonte gjithë prodhimin e vendit nëpërmjet veglave sindikale si dhe bllokonte në Durrës ushqimet e importuara për popullin. Nga ana tjetër, për t’ia bërë popullit jetën të padurueshme dhe për ta detyruar të hidhej në prehrin e tij, Berisha dhe  klani që e rrethonte e shndërruan gjithë vendin në kaos dhe pasiguri, duke nxitur krimet dhe përplasjet e turmave me shtetin. Vetëm katër muaj më vonë, në zgjedhjet lokale të korrikut 1992, berishizmi pësoi disfatë, duke marrë 20% më pak vota. Në referendumin e vitit 1994 për Kushtetutën berishizmi mori goditjen tjetër, duke marrë vetëm 1/3 e votave. Duke e ditur pozitën e tij morale dhe politike, Berisha dhe të tijtë dhunuan zgjedhjet e përgjithshme të majit 1996 dhe kjo gjë, së bashku me katastrofën ekonomike të shkaktuar nga firmat piramidale, e çoi vendin në ngjarjet e shkurt-marsit 1997, të cilat e detyruan Berishën të bëjë zgjedhje të parakohshme, nga të cilat mori edhe një disfatë tjetër. Një tjetër disfatë popullore pësoi berishizmi edhe në referendumin e dytë për Kushtetutën, në fund të vitit 1998, kur projekti i kundërshtuar nga PD dhe aleatët e saj, u miratua nga populli shqiptar. Zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti treguan se berishizmi, në daç me dru (kur dhunon vullnetin e popullit), në daç me vota (kur nuk e cenon këtë vullnet)  ka ndeshur dhe ndesh në refuzimin e shumicës së shqiptarëve.

 

3. Berishizmi operon me instinktet dhe jo me arsyen. Duke pasur si armë kryesore të vetën populizmin, berishizmi nuk e ndien të nevojshëm arsyetimin. Madje, arsyeja dhe arsyetimi e bezdisin, prandaj dhe iu shmanget atyre vazhdimisht. Berisha do të mbahet mend si një njeri i çakërdisur që vrapon tek turmat, hipën mbi makina për t’i përshëndetur, qesh, ngërdheshet, ulërin, fyen, shpif e kërcënon kundërshtarët, por askush nuk mund ta kujtojë në një studio përballë kundërshtarit ku, me qetësi dhe maturi, argumenton idetë e veta dhe rrëzon ato të kundërshtarit.

 

4. Mungesa e ideve dhe e idealeve. Mbas 23 vitesh në politikë, askush nuk mund të kujtojë një ide shkëlqimtare të Sali Berishës, zbatimi i së cilës do i shërbejë të ardhmes së vendit. Sapo largohet nga detyrat partiake dhe vihet në karrigen e administratorit, Sali Berisha shfaqet si një  qeveritar që bën çfarë i del përpara, e fillon një punë dhe e lë përgjysmë, përuron punë të pabëra ose  i bën ato së prapthi. Këtu nuk është fjala për tubacione ujërash të zeza apo rrugë katundesh, por për probleme madhore kombëtare si privatizimet, urbanistika, dëmshpërblimi i të persekutuarve, arsimi, mjekësia, sistemi hidroenergjetik dhe ai i kullimit etj. Nëse ka pasur vërtetë ndonjë ideal në protestat e 1990, ai duhet të ketë qenë shteti ligjor. Sot, me kontributin kryesor të berishizmit, shteti ligjor ka mbetur një ëndërr e largët. Në vend të tij ekziston shteti oligarkik, shteti i një pakice, shteti i atij që ka pasuri (të vënë kryesisht në rrugë kriminale), shteti i të fortëve dhe gangsterëve të veshur me kostumin e politikës në bashkëpunim me të ngjashmit e tyre që veprojnë në biznes dhe në rrugë. E drejta në ndërtesën e Drejtësisë është si malli në ankand. Kush ka dhe jep më shumë, e fiton. Të tjerët le të shpresojnë në botën e përtejme.

 

5. Banaliteti dhe harbutëria në vend të konkurrimit. Duke qenë i varfër në ide, berishizmi nuk shfaq as alternativa dhe as e mbështet fitoren tek konkurrimi me kundërshtarin, por tek denigrimi i kundërshtarit, tek shpifjet, fyerjet nga më monstruozet, kërcënimet, denigrimet, rrahjet, burgosjet dhe, më në fund, vrasjen e tij. Të gjitha këto i ka përdorur dhe i përdor sipas nevojave dhe aq sa ia lejojnë rrethanat. Kaq i varfër është në ide saqë gjatë fushatës së fundit zgjedhore nuk bëri gjë tjetër veçse shpejtoi të kopjonte parullat dhe idetë e kundërshtarëve politikë, duke u bërë fare qesharak.

 

6. Kaosi, anormaliteti dhe paligjshmëria. Sa herë nuk arrin pushtetin, berishizmi tenton të krijojë kaos. Sigurisht që gjendjet kaotike shkaktohen nga veprimet anormale dhe të paligjshme. Të gjithë atyre që e kanë jetuar aktivisht këtë periudhë 23-vjeçare iu kujtohet se çfarë veprimesh kryente Sali Berisha në opozitë gjatë viteve 1991-1992. Po ashtu, nuk mund të mos na kujtohen sulmet dhe djegiet e komisariateve të policisë në Shkoder e Tropojë dhe, pak më vonë, sulmet terroriste ndaj gjithë institucioneve qendrore dhe RTVSH në 1998, dhe pastaj deklarimi në media se “E morëm pushtetin”. Sa kohë është në opozitë nuk e njeh dhe as e përfill ligjin dhe rendin. Kur vjen në pushtet e përdor ligjin si do vetë, duke goditur kundërshtarët politikë dhe duke nxjerrë të pafajshëm bashkëpunëtorët e vet, edhe kur ata kryejnë krime monstruoze, të dukshme dhe me pasoja kombëtare.

 

7. Përqendrimi i të gjithë pushteteve tek Uni. “Këtu nuk vihet për të pyetur e diskutuar, por vetëm për të miratuar”,- iu thoshte Sali Berisha në Grupin Parlamentar të PD, sipas ish-deputetit të saj, z. Paulin Sterkaj. Përveç disa qejfmbeturve pa dinjitet e personalitet, që u larguan nga PD me turfullima dhe u kthyen të përunjur dhe të vetëposhtëruar, thuajse askush nuk është në gjendje të dallojë ndonjë personalitet apo individualitet të spikatur në radhët e berishistëve. Vlera e secilit prej tyre është sa vlera e një kartoni. Të gjithë janë dakord me kryetarin, të gjithë mendojnë si kryetari, të gjithë miratojnë edhe krimet e kryetarit. Dhe, rrjedhimisht, të gjithë janë përgjegjës, të paktën moralisht, po aq sa kryetari, për të gjitha dëmet që i kanë shkaktuar popullit e vendit. Si në sundimin e parë (1992-1997) ashtu edhe në të fundit Sali Berisha bëri çmos dhe ia arriti që të fuste në dorë të gjitha pushtetet dhe t’i përdorte si vegla, në shërbim të vet dhe kundër kujtdo që i rrezikon pozitat sunduese. Mirëpo, është interesant fakti se, sapo i grumbulloi në dorën e tij këto pushtete, e humbi pushtetin politik. Thjeshtë dhe vetëm sepse pushtetet e pakufishme i ka përdorur për interesat e veta dhe të kastës që e rrethon dhe jo në shërbim të zhvillimit të vendit.

 

8. Përdorimi i Medies si Studio Makijazhi. Në sundimin e parë të tij, RTVSH ishte kthyer në Studio Fotoshopping, d.m.th. në mjet që përdorej për t’i paraqitur popullit shqiptar një Sali Berishë tjetër nga ai i vërteti. Dhe, nga ana tjetër, po kjo medie shërbente edhe si makinë për përbaltjeje e kundërshtarëve të tij politikë. Për turpin e drejtuesve të tyre, edhe gjatë sundimit të dytë berishist, kjo medie, së bashku me disa medie private, të blera nga pushteti, me paratë e shqiptarëve, kreu të njëjtin mision. Por, kishin ndryshuar kohët, pasi në Shqipëri kishte dhe ka edhe media të tjera. Në të dyja kohët, media ia zgjati pushtetin, por nuk mundi ta shpëtonte Kalorësin e Marrëzisë së Pakufishme.

 

9. Berishizmi e do Shqipërinë, por, akoma më tepër do pushtetin politik dhe ekonomik. Sa herë që berishizmi është vënë para alternativës: o pushtetin, o interesat e vendit, gjithnjë ka zgjedhur të parin. Kjo ka ndodhur në 1991-1992, në 1996-1998, në 2010 (me Marrëveshjen e Detit) etj.

 

10. Berishizmi është një sistem i korruptuar, i korruptueshëm dhe korruptues. Marrëdhëniet e tij të korruptuara me popullin, i nisi sapo doli në skenën politike. Për hir të ndjelljes së votuesve, propagandoi dhe nxiti lëvizjen kaotike dhe të pakontrolluar të banorëve, nga një zonë në tjetrën, të shoqëruar me grabitjen e tokave të pronarëve realë dhe me qindra mijëra ndërtime pa leje. Të gjithë këtë katrahurë (vetëm në Shqipëri ka ndodhur) e ka propaganduar si “lëvizje e lirë” dhe ka dalë garant i saj dhe flamurtar i legalizimit, pra i shndërrimit në të ligjshme të asaj që është e paligjshme. Pse? Vetëm për vota që të japin pushtet. Berishizmi ka krijuar modelin dominues të shtetasit të korruptuar. Ka krijuar kontrabandistin e naftës, të femrave, të drogës, të votës, sekserin e administratës, mjekun antihuman dhe gjyqtarin pa moral, deputetin që shitet e blihet si bagëtia etj. E gjithë kjo kategori njerëzish, që mund të përdoren në marifetet politike, janë pasuruar dhe ky pasurim kriminal i tyre i shitet popullit shqiptar si “arritje demokratike”.

 

11. Berishizmi nuk ka karakter krahinor dhe as fetar. Mjerisht, kam lexuar dhe dëgjuar shumë njerëz që mbrapshtitë e berishizmit ia veshin krahinës nga ai vjen apo përkatësisë së tij fetare. E vërteta është krejt ndryshe. Sali Berisha nuk përfaqëson veriun e vendit, as Tropojën, madje as krejt familjen Berisha të Viçidolit, e njohur si familje e rregullt dhe dinjitoze. Ai përfaqëson vetëm individin me këtë emër. Krahina e berishizmit është gjithë hapësira shqiptare dhe feja e tij është  pushteti. Ndërsa berishistët mund t’i gjesh kudo dhe tek të gjitha besimet fetare. Shumë prej figurave të PD-së, nga jugu, veriu apo Shqipëria e mesme, janë përpjekur gjatë këtyre viteve t’i ngjajnë sa më shumë kryetarit të tyre. Dhe, vini re realitetin, marrëzia dhe maskarallëku janë lehtësisht të imitueshëm, ndonëse diskreditues. Mjafton të përmendim pak emra si Topalli, Mesila Doda, Sokol Olldashi, Edi Paloka, etj., për të kuptuar se t’ia atribuosh berishizmin rajonit apo fesë është gabim, është një qëndrim i padrejtë dhe aq e dëmshme sa dhe vetë berishizmi.

 

Në historinë politike të shtetit shqiptar, berishizmi është i ngjashëm me zogizmin. Të dy kërkojnë pushtet të përjetshëm, por, ndërsa Zogu e sanksionoi pushtetin e vet me Kushtetutë, Berishës nuk ia lejuan rrethanat. “Kur Ahmet Zogu, një injorant, ka sundue për 15 vjet, ne do ta mbajmë më gjatë pushtetin”- iu ka thënë Berisha bashkëpunëtorëve të vet në 1992, sipas Frrok Çupit. Të dy e kanë pranuar pluralizmin, por vetëm me një kusht: që ata të jenë gjithmonë në pushtet. Të dy e kthyen pluralizmin në farsë dhe përdorën të gjitha intrigat, metodat dhe mjetet që iu lejuan rrethanat që ata të jenë sundimtarë absolutë dhe kundërshtarët politikë të mbeten garnitura që e bën të pranueshme menynë e tyre politike.

 

Berishizmi sot

PD-ja humbi zgjedhjet. Kryetari i saj dha dorëheqjen, mori përsipër përgjegjësitë (cilat?) dhe qau! Qau ai që nuk kishte gjetur shkak për të qarë as kur shqiptarët vriteshin me dhjetëra gjatë kaosit të krijuar prej tij, as kur biznesi i të birit vrau tridhjetë vetë në Gërdec, midis tyre edhe baxhanakun e tij dhe as kur u vranë katër njerëz në bulevard, para zyrës dhe syve të tij. Ai nuk është prekur ndonjëherë kur qindra shqiptarë kanë vrarë veten gjatë këtyre viteve ngaqë s’kishin mundësi të siguronin bukën e fëmijëve, ndërsa fëmijët e tij bëjnë një milion euro në vit. Ai nuk kishte arsye të qante për popullin, por kishte shkak të qante për humbjen e pushtetit personal dhe klanor.

Të gjithë ata që kanë lexuar me vëmendje fjalën e Sali Berishës të 26 qershorit apo mesazhet që ai u ka dërguar fëmijëve dhe të rriturve nëpërmjet fejsbukut (facebook), kanë mundur të kuptojnë se ai nuk është dorëhequr realisht dhe nuk ka zënë mend nga dalldia e tij 23-vjeçare për të sunduar. Kaq anormal është Sali Berisha saqë deklarata e tij për t’u tërhequr në prapaskenë u propagandua nga berishistët, borizanë të tij, si një akt i jashtëzakonshëm, demokratik prej “burri shteti”. Sali Berisha ka qenë dhe do të mbetet burrë shteti aq sa mund të quhet kalorës një njeri pa kalë. Deklarimi i dorëheqjes, është një akt normal për çdo politikan normal. Nuk ka gjë të jashtëzakonshme po të kalojë kali midis tufës së dhenve. Mirëpo berishistët e përjetuan dhe e trumbetuan deklaratën sikur përmes tufës së deleve të kishte kaluar ujku pa prekur as qengjat.

Fjalimi i tij i dorëheqjes, përveç se nuk la shteg për të besuar në “lamtumirën” e tij politike, ishte i turpshëm. Fjalim humbjeje kaq të gjatë nuk duhet të ketë mbajtur kush në historinë e politikës. Fjalim humbjeje ku përmenden vetëm arritje, të qena e të paqena, nuk do të gjendet në literaturën politike botërore. Fjalim humbjeje ku nuk përmendet asnjë gabim, asnjë faj për be, nuk mund të jetë dëgjuar ndonjëherë.

Në të vërtetë, fjalimi i tij ishte një fyerje për popullin shqiptar. Duke i përmendur atij vetëm arritje, më shumë imagjinare se reale, donte t’i thoshte: ju jeni mosmirënjohës, nuk jam unë fajtor se kam gabuar, por jeni ju fajtorë që nuk më keni vlerësuar si duhet punën time dhe që keni besuar gënjeshtrat e kundërshtarit tim. Me mesazhet e atij fjalimi Sali Berisha dëshmoi sërish se është i pakorrigjueshëm dhe përjetësisht i sëmurë. I sëmurë politikisht dhe moralisht.

Ai e njoftoi dorëheqjen, jo se ky akt është në formimin dhe sjelljen e tij politike, por sepse ia imponuan rrethanat. Ai ka humbur dhjetëra zgjedhje e votime qysh kur ka dalë në skenën politike, por nuk e ka njoftuar një akt të tillë. Sali Berisha e bëri një akt të tillë gjysmak dhe tinëzar sepse u gjend i rrethuar. I rrethuar, më së pari, prej një numri dëshpërimisht të madh votash kundër tij, numër dëshpërimisht i papërmbysshëm. Por ai u gjend edhe përballë rrezikut të shpërthimit të dufit popullor që, po ta provokonte, ishin të gjitha gjasat t’i sillte një fund si të Ghadafit. Veç këtyre, Berisha u gjend edhe i braktisur nga mbështetja ndërkombëtare. Podestat, prej Amerikës në Evropë, ishin të pamjaftueshëm për të justifikuar aventurat e tij. Ishte bërë shumë bajat dhe madje i neveritshëm. Gjithashtu, personalisht, nuk përjashtoj edhe mundësinë e ndonjë paralajmërimi që mund t’i ketë ardhur në kanale jo fort diplomatike për pasojat e përsëritjes së zakonit të tij të vjetër, atij të shtrembërimit ekstrem të vullnetit të popullor.

Sali Berisha e ka ditur se do t’i humbte këto zgjedhje, por nuk ka ditur thellësinë e humbjes. Prandaj dhe e ka gjykuar si veprim më të mençur përgatitjen dhe fronzimin e një pasardhësi në parti. Më mirë tani sepse mund ta kontrollojë dhe ta përdorë si të dojë, duke mos qëndruar vetë në plan të parë, por duke siguruar jetëgjatësinë e berishizmit. Kjo është çfarë i duhet atij.

Po të vëresh reagimet e berishistëve pas humbjes, mbetesh pa mend nga cektësia e të gjykuarit dhe mungesa e plotë e ndjenjës së përgjegjësisë dhe, rrjedhimisht, paaftësia dhe mungesa e dëshirës për vetëkorrigjim. Sipas tyre, fajet i ka gjithkush tjetër përveç atyre vetë dhe Sali Berishës. Kur dëgjon disa Alibeglerë që, për humbjen, fajësojnë disa ministra që janë treguar arrogantë sepse s’kanë hapur telefonat, të vjen të bësh atë pyetjen që përsërisin shpesh në Shkodër, “A je i marrë apo ban vetë?”.

Shikoni sa qesharakë janë dy kandidatët që bëjnë sikur konkurrojnë për të marrë rolin e aktorit që do të luaj sipas zërit që do i vijë nga prapaskena prej pëshpëritësit (suflerit) Berisha. Ata janë vënë në garë se kush është më shumë berishist. Këta duhet të jenë të vetmit konkurrentë politikë në botë që premtojnë ta risjellin partinë e tyre në pushtet duke u përpjekur t’i ngjajnë sa më tepër atij që e çoi atë në humbje. Madje, në një humbje epokale dhe domethënëse.

 

Berishizmi nesër

Të gjithë ata shqiptarë që shohin përtej xhepit dhe shtëpisë së tyre, duhet të jenë sinqerisht të interesuar që PD-ja të rigjallërohet, të demokratizohet dhe të bëhet më e vlefshme. Përmirësimi i partive është përmirësim perspektiv i vendit sepse një ditë ato do të marrin në dorë fatet e popullit. Mirëpo, mjerisht duket qartë që berishizmi do të jetë i pranishëm edhe për një kohë të gjatë në jetën sociale e politike të Shqipërisë. Pavarësisht faktit nëse kryetar formal i PD-së do të bëhet Olldashi apo Basha (duket se ky, i dyti, është paracaktuar të jetë), mentaliteti dhe sjellja berishiste do të jenë përherë të pranishëm. Asnjëri prej tyre nuk guxon, dhe, ndoshta edhe nuk mendon, të artikulojë ndonjë gabim apo faj të partisë së tyre gjatë këtyre 23 viteve. Sepse fajet e partisë janë fajet e Berishës.

“Pd-ja është partia e Sali Berishës”, tha Lulëzim Basha. Pastaj vazhdojnë marrëzitë e tjera, si: “askush nuk mund ta zëvendësojë Berishën”, unë do i mund, do i mposht, do i shkatërroj, do i përmbys… këta që morën pushtetin me vota etj. Asnjë program, asnjë ide, asnjë vizion, asnjë shenjë purizmi për të pastruar gabimet, asnjë mendim për të ardhmen e Shqipërisë, por gjithçka për rikthimin në pushtet.

Nëse Sali Berisha është i pazëvendësueshëm, atëherë përse këta “azganë” bëjnë garë për karrigen e tij, përderisa ai është ende gjallë? Apo, kështu është loja? Lulzim Basha dhe propaganda që e mbështet po përpiqen ta paraqesin si njeriun e sukseseve. Po, cilat janë këto arritje të tij? Përveç se ka ardhur në sferat më të larta partiake pa pasur kurrfarë meritash (nëse meritë nuk quhet shoqëria me vajzën e Berishës). Basha ka lënë njolla të zeza, madje krime të rënda, kudo ku ka shkuar. Si Ministër Transporti i ka “humbur” popullit shqiptar 230 milion euro dhe i shpëtoi drejtësisë me procedura të imponuara nga babai i tij shpirtëror. Si Ministër i Jashtëm ka nënshkruar Marrëveshjen Antikombëtare të Detit me Greqinë. Si Ministër i Brendshëm ka qenë në drejtim të operacionit ku u vranë katër qytetarë të pafajshëm dhe u fshehën provat (filmimet dhe tytat e armëve). Si Kryetar bashkie, megjithëse konkurronte me një person që e kishte drejtuar bashkinë e Tiranës për tre mandate rresht dhe megjithëse kishte me vete LSI-në dhe mbështetjen e shokëve Nano dhe Milloshi, e humbi. Por, meqë babai i tij shpirtëror kishte pushtet të pakufishëm e përmbysi rezultatin me marifetet e berishizmit dhe guximin e të marrit. Ky individ, me gjithë këtë deficit moral dhe ligjor, iu premton anëtarëve të partisë së tij se do ta kthejë partinë në shumicë morale, pra, se do i bëjë shumicën e shqiptarëve moralisht si veten.

Pushteti i pas shtatorit do të ketë përballë një pakicë legjislative që trashëgon përvojë thellësisht negative për të bërë opozitë normale. Shenjat e përmendura na paralajmërojnë se ajo do të përpiqet të sjellë kaos dhe do të pengojë me çdo mjet punën qeverisëse. A e keni dëgjuar dhe lexuar anëtarin “e thjeshtë” të partisë, pensionistin 70 vjeçar Sali Berisha se si iu betohet simpatizantëve të vet se do të punojë nga 18 orë në ditë si luan? Sigurisht, ai e di se ka edhe luanë të zgjebosur, por çështja qëndron në atë se çfarë kupton ky Kalorës i Vrerosur me “opozitën më të fortë që ka njohur historia…”. Nëse me këtë term nënkupton një opozitë konstruktive dhe moderne (sa qesharake të besosh në këtë!) do t’i bashkohesha edhe unë, por nëse e ka fjalën për rolin e Kryebanditit që e ka bërë shpesh, atëherë, i duhet treguar vendi ligjërisht. E, nëse instrumentet e ligjit do të vazhdojnë me kokëfortësi të komandohen nga kryeshkelësi i ligjeve, atëherë atij i duhet dhënë ajo që meriton pa pasur nevojë të mundohen prokurorë, gjykatës apo avokatë. Me banditët duhet sjellë siç sillet gjithë bota. O vullneti i popullit, ose zulma e banditëve mbi popullin. Rrugë të mesme nuk ka.