Berisha: Rama-Meta intriga për skllavërim të të paditurve

51

berishaKuvendi ka nisur sot punimet me betimin e deputetëve të rinj, të cilët kanë zëvendësuar mandatet e lëna bosh nga anëtarët e qeverisë. Deputetët e rinj që janë betuar sot në Kuvend, duke zëvendësuar Ministrat e qeverisë janë: Miranda Rira, Anduel Xhindi, Adelina Rista, Vladimir Kosta, Enkeleda Shkreli, Silva Caka, Kejdi Mehmetaj dhe Bedri Mihaj.

Por, një reagim i ashpër ka ardhur nga ish kreu i PD-së Sali Berisha, i cili e cilëson këtë lëvizje, si një pastrim politik të Kabinetit qeverisës dhe vetë Kabinetin, si më të madhin në Europë. Berisha akuzon kreun e qeverisë Rama dhe Kreun e Kuvendit Meta për intriga banale me synim përdorimin e mandateve, për të skllavëruar të paditurit dhe për të spastruar bashkëpunëtorët e tyre.

“Tragjikomedia me Kryeministrin e zgjedhur, në një kohë kur Kryeministri është i emëruar, jo i zgjedhur, vazhdon me pastrimin e plotë politik të kabinetit dhe shndërrimin e tyre thjesht në zëdhënës të kryekreut. Ky është shkelmim flagrant mbi Kushtetutën, ky kabinet është më i madh se i Francës, Spanjës, Gjermanisë, Italisë, më i madh se vendet që janë dhjetëra herë më të pasura se ne, dhe përmbi këtë rriten shpenzimet e Kuvendit nga rritja prej 32% e kabinetit, me mbi 20% shpenzimet e Kuvendit në një kohë kur nuk u jepet paga invalidëve, ndihma ekonomike atyre që numërojnë kafshatat. Krijohen pagat milionëshe të zyrtarëve. Unë do ta mbyll këtë ndërhyrje duke denoncuar marrëveshjen intrigante të dyshes Rama-Meta dhe të garantojë shqiptarët se ky kast ka në bazë një intrigë banale të dy zotërinjve, që përdorin mandatet për të skllavëruar të padituarit për të qëruar hesapet me bashkëpunëtorët e tyre”, tha Berisha.