Berisha: Këtij i thonë deputet – kryeministër – kryetar bashkie

59

Sali BerishaIsh-kryeministri, Sali Berisha, akuzoi sot kreun e qeverisë, Edi Ramën, që nuk lejoi mediat që të transmetonin drejtpërsëdrejti ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, “Facebook”, Berisha tha se Rama abuzoi me pushtetin e tij, duke marrë edhe kompetencat e kryetarit të bashkisë së Vlorës, duke e shpallur kështu veten “de fakto” kryetar të bashkisë së qytetit të flamurit.

Ja se çfarë shkruan Berisha në “Facebook”:

Ndalimi i transmetimit direkt të ceremonisë nga sheshi i Flamurit, ishte urimi i z.Rama për vlonjatet dhe shqiptaret për ditën e Pavarësisë.

Të dashur miq, sot në një akt të paprecedent, së paku 70 vitet e fundit, shqiptarët që prisnin para ekraneve të televizionit të ndiqnin live transmetimin e ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në sheshin e Flamurit në Vlorë, nga Presidenti i Republikës dhe festime të tjera, mbetën të zhgënjyer.

Kjo ceremoni, që është shndërruar tashmë në një rit thuaj të shenjtë për mbarë kombin, këtë vit me urdhër të Edi Ramës nuk u lejua të transmetohej direkt nga mediat e vendit. Ky ishte urimi për Vlorën dhe shqiptarët nga sheshi i tyre i Flamurit i z.Edi Rama.

Ndërkohë u transmetua direkt fjala e z.Rama në një takim, në të cilin ai de fakto u inaugurua si kryetar i bashkisë së Vlorës. Në këtë takim, në kundërshtim me nenin 13 të kushtetutës dhe disa vendimeve të gjykatës Kushtetuese, në dhunim të ligjit të pushtetit vendor dhe Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, Rama mori kompetencat e kryetarit të bashkisë Vlorë, këshillit bashkiak të Vlorës dhe shpalli konkursin për Lungomaren e qytetit. Ky konkurs, sipas ligjeve të mësipërme, është e drejtë ekskluzive e bashkisë së Vlorës, por deputeti i Vlorës duke abuzuar me pushtetin e tij ekzekutiv shpalli veten de fakto edhe kryetar të bashkisë së qytetit që e votoi për deputet.

Këtij i thonë deputet – kryeministër – kryetar bashkie = gaz i dheut!! sb