BE heq regjimin e vizave për vende të botës së tretë

51

26670en_USI_schengenShtetasit e Kolumbisë, Perusë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, do të autorizohen së shpejti të udhëtojnë në hapësirën Shengen pa viza. Komisioni i Lirive Civile në Parlamentin Europian, votoi dje projektin e azhurnimit të rregullores evropiane mbi vizat. Propozimi fillestar i Komisionit Europian synonte heqjen e vizave vetëm për shtetasit e Karaibeve, dhjetë shteteve ishullorë të Paqësorit dhe Timorit Lindor.

Komisioni i Lirive Civile ka shtuar Kolumbinë dhe Perunë në listën e vendeve që përjashtohen nga detyrimi i vizave duke konfirmuar nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se këto vende i përgjigjen kushteve të fiksuara nga rregullorja për heqjen e vizave. PE ka hapur dritën jeshile për marrëveshjet e shkëmbimit të lirë me këto dy vende të Amerikës Latine, në dhjetor 2012. Në listën pozitive janë shtuar edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vendosja e vendeve të treta, shtetasit e të cilëve i nënshtrohen detyrimit të vizave dhe të atyre që janë të përjashtuar nga ky detyrim, bëhet nëpërmjet një mekanizmi vlerësimi rast për rast të kritereve të ndryshme të lidhura kryesisht me imigracionin klandestin, rendin publik dhe sigurinë si edhe me marrëdhëniet e jashtme të Unionit me vendet e treta, në veçanti respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, duke mbajtur parasysh gjithashtu implikimin e koherencës rajonale dhe të reciprocitetit”,- kanë theksuar eurodeputetët.

Teksti parashikon gjithashtu edhe reciprocitetin e përjashtimit nga regjimi i vizave, konform marrëveshjeve në këtë fushë. Të gjithë qytetarët evropianë që dëshirojnë të udhëtojnë në këto vende, nuk do të kenë më nevojë për viza.

Disa kategori që i përkasin shtetësisë britanike, që aktualisht duhet të pajisen me viza ( rreth 300 mijë persona banues kryesisht në territoret britanike përtej detit, si Bermuda ishujt Turks dhe Kaikos) do të përjashtohen gjithashtu.

Votimi  i Komisionit të Lirive Civile  me 51 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime i dha raportuesit Mariya Gabriel, një mandat për të filluar negociatat me Këshillin me synimin arritjen e një marrëveshje./i.t/