Rikthehet sërish në vëmendjen e publikut, dosja e vrasjeve të 21 janarit. Prokuroria ka kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe rivendosjen e vendimit me 23 vite burg për ish Komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe me 25 vite burg për ish gardistin Agim LLupo.
Me argumentimin, se demonstruesit nuk ishin të armatosur dhe garda ka qëlluar drejt tyre, duke u vërtetuar kjo edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, Prokurori i çështjes, Shkëlqim Hajdari ka deklaruar se vendimi për dosjen e 21 janarit nuk është i drejtë.
Duke ju drejtuar Gjykatës së Apelit, ai kërkon prishjen e vendimit. Gjykata e Apelit zhvilloi sot seancën, por dy të akuzuarit kryesorë nuk ishin prezentë dhe përfaqësoheshin nga avokatët e tyre.
Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm Ndrea Prendin për vrasjen e Faik Myrtajt, dhe Agim Llupon për vrasjen e demonstruesve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, por pa autor ka mbetur vrasja e Aleks Nikës.


