Burime nga BSH-ja bëjnë të ditur se, të pranishëm në këtë aktivitet do të jenë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanit dhe Yves Mersch, anëtar i Bordit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe të ftuar të tjerë vendas dhe të huaj nga sektori financiar dhe ai bankar.
Ky projekt i cili ofrohet nga Banka Qëndrore Evropiane, ka për qëllim përforcimin e kapaciteteve institucionale të Bankës së Shqipërisë, duke identifikuar kriteret ligjore, organizative dhe burimet e nevojshme për përafrim me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.
Ai zhvillohet në kuadër të programit “Bashkëpunimi teknik me bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor në përgatitjet e anëtarësimit të tyre pranë Sistemit Evropian të Bankave Qendrore” dhe financohet nga asistenca e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA 2013). Bashkë përfituese të këtij projekti janë edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë./