“Banda e tritolit”, vetëdorëzohet Andon Mëhillaj

44

mehillajVetëdorëzohet në policinë  e Vlorës Andon Mëhillaj, një prej pjesëtarëve të “grupit të tritolit”.

Sipas informacioneve më të fundit, në deponimet e tij në drejtorinë e policisë së qytetit bregdetar Andon Mëhillaj ka mohuar të ketë lidhje me killerin Julian Sinanaj dhe me atentatet me eksploziv.

Ndërkohë mësohet se kanë qënë familjarët e Andon Mëhillajt ata të cilët kanë negociuar me strukturat e policisë së shtetit duke bërë të mundur edhe vetëdorëzimin e tij.

Avokati i Andon Mëhillajt, Edmond Dema ka deklaruar në një prononcim për mediat  se klienti i tij është i pafajshëm dhe akuzat e ngritura ndaj tij janë të padrejta.

“Andon Mëhillaj nuk ka pranuar asnjë nga akuzat që janë hedhur ndaj tij. Vetëdorëzimi i tij është bërë për të qenë i pranishëm gjatë hetimeve dhe për t’u mbrojtur sa më mirë. Andoni  do të përballet me akuzat, të cilat nuk i pranon. Ai  nuk pranon se ka porositur ndonjë vrasje  dhe nuk ka asnjë të vërtetë në të gjthë këtë histori. Andoni  nuk ka lidhje me botën e  krimit, është familjar i rregullt dhe ka dy fëmijë. Ai ka qenë në Vlorë por nuk ka marrë pjesë në krimet për të cilat akuzohet.  Andon Mëhillaj ka patur njohje me Julian Sinanaj, por jo në lidhje me akuzat që rëndojnë mbi të. Ata prej shumë kohësh nuk flisnin bashkë.  Andon Mëhillaj ka qenë nën kërcënimin e Julian Sinanajt për shumë kohë” ka theksuar avokati duke shtuar se  negociatat e vetëdorëzimit kanë qenë shumë të shpejta.

Gjithashtu, avokati ka shtuar se çështja ndiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që operon në  Tiranë dhe ai do të transferohet në kryeqytet. Ai ka theksuar më tej se veprimet hetimore ndaj Andon Mëhillajt  mund të shtrihen në të gjtha qytetet  ku ka dëshmitarë apo të dyshuar.

I pyetur në lidhje me Genis Mëhillajn, avokati Doma ka theksuar se nuk di asgjë për të pasi mbron vetëm Andon Mëhillajn.