Atentat me armë drejtorit të CEZ-it në Laç

57

policiaViktor Skeja, drejtori i CEZ Shpërndarje në qytetin e Lacit, ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati të mbetur në tentativë.

Ngjarja u shënua mesditën e sotme në rrugën “Bardhyl” në kryeqytet, ndërkohë që 45-vjecari mbeti i plagosur me armë zjarri tip pistoletë.  Burime nga policia bënë me dije për Gazetarin Spartak Koka se dy persona të paidentifikuar janë futur në ambiente e kazinosë dhe pasi e kanë pyetur për emrin dhe kanë konfirmuar se bëhej fjalë për Viktor Skejën kanë tentuar ta vrasin.

Fatmirësisht Skeja i ka shpëtuar atentatit, pasi plumbat i kanë kapur vetëm këmbët. Pas marrjes së dëshmisë së të plagosurit, policia konfirmon lajmin se dy personat kishin si objektiv vrasjen e drejtorit të CEZ Shpërndarjes në Lac.

I plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet paraprake mësohet se Skeja po luante në kazino dhe është zënë në befasi, ndërkohë që forcat e sigurisë private të kazinosë e kanë pasur të pamundur të ndalojnë dy atentatorë, të cilët ishin të armatosur dhe janë larguar menjëherë nga vendngjarja.

Grupi hetimor ka nisur hetimet për shkaqet plagosjes, ndërkohë që pritet dëshmia e plotë e Skejës për të mësuar detaje dhe arsyet e atentatit ndaj tij.