Ashton: Zgjedhjet, të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës

51

Katerine AshtonPërfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe njëkohësisht Zv.Presidente e Komisionit Europian, Catherine Ashton ka dhënë një deklaratë në lidhje me zgjedhjet lokale, të zhvilluara këtë të diel në Kosovë.

Ashton thekson, se i ka ndjekur nga afër zgjedhjet në Kosovë dhe përgëzon votuesit për pjesëmarrjen e tyre. Ajo i vlerëson këto zgjedhje, si të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

Baronesha Ashton ka falënderuar gjithashtu misionin e OSBE-së, për punën e vështirë për thjeshtëzimin e zgjedhjeve në veri, shefin e vëzhguesve Roberto Gualtieri si edhe Misionin Vëzhgues të BE-së, për punën e tyre të vështirë dhe për raportin paraprak të dalë sot.

“Vlerësimi i tyre konfirmon, se në pjesën më të madhe të Kosovës zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të rregullt. Në të njëjtën kohë, dënoj fuqimisht incidentet e dhunshme në qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut”,- tha Ashton.

Sipas Ashton të gjithë votuesit, kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, në një mjedis të qetë të sigurt, dhe pa dhunë. Duke iu referuar incidenteve ajo theksoi se, ato duhet të hetohen pa vonesë.

Ashton deklaroi gjithashtu se do të takohet me Kryeministrin Dačić dhe Kryeministrin Thaçi në Bruksel më 6 nëntor, për raundin e ri të dialogut.

“Ne do të diskutojmë hapat e mëtejshëm në procesin elektoral si edhe hapat e mëtejshëm në implementimin e Marrëveshjes së Prillit”,- tha Ashton./i.t/