‘’Mendoj se rreth një javë më parë, ambasada e SHBA nxori një deklaratë mbi situatën, por duke pasur parasysh vëmendjen dhe fokusin gjatë kësaj periudhe në procesin e zgjedhjeve, mendoj se është me rendësi të jemi shumë të qartë mbi pozicionin e SHBA, ndaj e vlerësoj këtë mundësi.
KQZ-ja ka përgjegjësinë parësore për të zhvilluar zgjedhjet e 23 qershorit. KQZ është ngritur dhe mandatuar siç duhet dhe ligjërisht. Ai është institucioni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, është me rëndësi që pavarësia e këtij institucioni të respektohet. KQZ duhet të jetë e lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje nga ndonjë individ, nga ndonjë institucion, dhe këtu përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Nuk ka diskutim që kur LSI vendosi të tërhiqej nga koalicioni qeverisës dhe të hynte në koalicion me Partinë Socialiste, kjo solli rrethana të ndryshuara, përfshirë edhe në 89 KZAZ-të. Kur flas për rrethana të ndryshuara, kam parasysh pikërisht këto, rrethanat e ndryshuara. Por, pozicioni i SHBA është që KQZ, siç është e ndërtuar aktualisht, ka jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për të trajtuar çështjet që lindin nga administrimi i zgjedhjeve. Dhe kjo sigurisht përfshin, edhe pse nuk kufizohet vetëm në përbërjen e 89 KZAZ-ve. Me fjalë të tjera, struktura ekziston, e rendësishmja është të lejohet KQZ-ja që të kryejë punën e saj. Është e qartë që do ketë diskutime, negociata, por ky është thelbi i çfarëdo shoqërie demokratike – marrja dhe dhënia politike; ndodh në çdo demokraci funksionale dhe që demokracia shqiptare të ketë sukses, ka nevojë që kjo të ndodhë edhe këtu.
Pika e fundit që do ngreja dhe mund të kemi kohë për një ose dy pyetje, është që sëbashku me partnerët tanë ndërkohmbëtarë, ajo që kemi theksuar në mënyrë konseguente dhe të përsëritur është apeli për të gjithë personalitetet, për të gjitha institucionet, për njerëzit në qeveri, për njerëzit në opozitë, të veprojnë në mënyra që rrisin besimin e njerëzve, besim jo tek rezultati, por tek procesi, në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. Pra, është një thirrje shumë e thjeshtë dhe bazike që e kemi bërë dhe, ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është pikërisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin për të cilin flasim.’’