Arben Imami ish-Ministri i parë i qeverisë Berisha, që do të përballet me Drejtësinë

22

Arben_ImamiDuket se ish Ministri i parë i qeverisë Berisha, i cili do të përballet me drejtësinë, do të jetë Arben Imami. Burime të gazetës Sot, bëjnë me dije se, shumica qeverisëse po mbledh fakte dhe prova për veprimtaritë korruptive të ministrave në mënyrë që t’i hapë rrugën padive penale në prokurori.

Imami do të jetë i pari, i cili do të përballet me drejtësinë për serinë e skandaleve dhe aferave të konsumuara gjatë ushtrimit të detyrës si ish-Ministër i Mbrojtjes.

Sipas Sot, lajmi është konfirmuar nga deputetët të PS-së. Deputeti Qefalia ka deklaruar se aktualisht janë duke u bërë verifikime dhe se për individët që kanë abuzuar me ligjin dosja do të shkojë në prokurori. Ndërkohë deputeti Piro Lutaj ka pohuar se, po verifikohet veprimtaria e Imamit, pasi ai e shndërroi ushtrinë në bandë private. Edhe deputeti Sterkaj ka pohuar se, Imami do përgjigjet për shitjen e pronave dhe armëve të Ushtrisë.  Ndërkohë deputeti Gjoni është shprehur, se Imami duhet të hetohet për të gjithë skandalet dhe se PS ka katër vite që kërkon hetimin e tij. Por, gjithsesi sipas Gjonit, kjo do të varet nga vullneti politik i qeverisë së re.

Imami është akuzuar publikisht mbi shumë abuzime dhe shkelje të rënda ligjore, si: Kontratat për ambientet e Spitalit Ushtarak; Përvetësimi i SHQUP; Përgjimi i opozitës dhe ambasadorëve; Tjetërsimi i 670 pronave të Ushtrisë; Skandali me ish-klubin Partizani; Shmangia e Presidentit në emërime; Trafiku i armëve dhe raporti-akuzë i OKB; 1 miliard lekë të Ushtrisë shkuan për fushatën e PD; Angazhimi i Ushtrisë në zgjedhje; Shitja e 14 avionëve luftarakë; Devijimi nga axhenda e NATO; Skandali me taksat e helikopterit; 700 mijë dollarë reklama tek Klani; Abuzimet me gradat në Ushtri; Skandali me afatet e demontimit të armëve.