Anila Basha: Falenderoj mjekët që na japin shpresë

85

KOMISIONI I MEDIAS – Kandidatja per kreun e AMA, Anila Basha, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Medias./r/n/r/nEDUCATION COMMITEE – Anila Basha, speaks during a session of Education and Means of Public Information Parliamentary Commitee.
Me hidhërim marr vesh për humbjen e Aristotelit. Ndjeja dobësi për të dhe për ata pacientë të tjerë, që në këtë luftë të vështirë, tregojnë dëshirën për të jetuar çdo çast. Me respekt për familjen tuaj Beni!

Mesazhi i Arben Dhimës në celularin tim, doktorit radiolog të Spitalit Amerikan, më bëri të gjykoj veten sesa e vonuar isha për të shkruar dhe për të falenderuar me zemër, armatën e madhe të personelit spitalor, në luftën hap pas hapi të tyren, dhe të tonën, e më së shumti të të ndjerit babait tim, kundër kancerit. Ishte një rrugëtim i gjatë katërvjeçar. Një nga ato udhëtime, ku fati t’a do, që edhe ti, të mësosh shumë nga profesioni i mjekut dhe përpjekjet për të mbajtur në jetë një pacient që e do jetën.

Mesazhi i doktor Arbenit ishte i veçantë, sepse na tregonte sesa shumë babai im e donte jetën dhe luftonte me sëmundjen. Katër vite pa ndërprerë ciklet e kimioterapisë, dhe ecejaket tona të përhershme tek Spitali Onkologjik në QSUT apo tek Spitali Amerikan, më treguan mua, familjes time, dhe doktorëve, sesi një pacient mund të luftojë sëmundjen kur e dashuron jetën, edhe kur sëmundja është në shkallën e fundit të vetën. Por nuk është vetëm kjo. Në katër vite, tej skepticizmit që në përgjithësi e kemi apo e shfaqim, apo tej debateve shterpë se në spitalet tona mungon gjithçka e mjekët nuk bëjnë asgjë, mësova, pashë e konstatova se kemi një armatë të tërë doktorësh, infermierësh, sanitaresh, menaxherësh që luftojnë ditë pas dite, kundër vdekjes pro cilësisë së jetës. Kur për herë të parë u takova para katër vitesh me doktor Agim Sollakun, shef i shërbimit onkologjik në Tiranë, (i ndarë nga jeta në dhjetor 2017), për të folur për kancerin në zorrën e trashë me metastaza në mëlci të babait tim, më tha: “Anila, të vetëm s’mund të bëjmë asgjë.

Babai do të duhet ta luftojë edhe vetë sëmundjen, përveç protokollit të ilaçeve që do të marrë prej nesh”. Doktor Gimi kishte të drejtë. Kjo luftë nuk fitohet vetëm duke parë doktorët në sy dhe t’u kërkosh të të bëjnë derman nëse trupi yt nuk garanton të njëjtën luftë nga brenda, sikurse dhe nga jashtë. Por që nga gushti 2014, kur për analizën e kolonoskopisë do të më duhej të prisja disa ditë në radhë për ta kryer si procedurë e për të marrë rezultatet, mjeksia shqiptare dhe investimet në të kanë ecur shumë. Sot, nuk duhet të presësh për analizën e kolonoskopisë. Sot në spitalin onkologjik në Tiranë, mjekët e infermierët që punojnë aty janë heronj. Përballen përditë me një fluks të paparë pacientësh që shtohen dhe kartela të reja që hapen, ashtu sikurse nevojat për ilace dhe protokolle kimioterapish, edhe pse janë gjithmonë prezent, janë të pamjaftueshme për rastet që shtohen nga dita në ditë. Ajo që vërejtëm unë e familja ime, ishte fakti se shërbimi onkologjik për ndjekjen e pacientit në qytetet me qendra spitalore, është një gjë pozitive. Nuk na duhej të vinim në Tiranë njëherë në tre muaj, sepse onkologu i Lushnjes, Gentian Xhoxhi, ishte aty për të dhënë rekomandimet përkatëse. Kur disa vite më pas, vumë re se metastazat shtoheshin dhe arritën deri në kokë, pamë se paisjet e reja të goditjes me rreze të qelizave kancerogjene i gjeje si te spitali i Neurologjisë, ashtu edhe tek Onkologjiku.

Nuk ishte e nevojshme që babain ta nxirrja jashtë shtetit, sepse “këtu nuk të bëjnë derman”, siç më sugjeronin disa. Paisjet ishin në Shqipëri, në spitalet tona, dhe me një menaxhim edhe më të mirë, mund të ishin edhe më efikasë për të trajtuar edhe më shumë pacientë. E ndryshe nga katër vite më parë, vura re se shërbimi sanitar në spitalet tona ishte edhe më i plotë, qoftë edhe sa i përket higjenës. Eshtë e vërtetë se kapacitetet janë të vogla, por gjithmonë gjendet vendi për trajtim. Kam parë në katër vite “qetësinë” olimpike të doktorëve të Onkologjikut me pacientë e familjarë të tyre, të cilët, qoftë nga nervozizmi i sëmundjes apo pamundësia e dhënies së ndihmës “urgjent”, e ngrinin zërin në kupë të qiellit me ulërima që veç vononin kohën për vizitat e mjekëve. Ndërsa doktorët, që e dinë fare mirë fatin e pacientëve me këtë sëmundje, përpiqeshin të ishin të buzëqeshur, të qetë, duke folur me zë të ulët, e sytë e tyre që donin t’i jepnin shpresë kujtdo.

Ndaj sot, dua t’i falenderoj personalisht Dotoreshë Dhuratën e Enkën dashamirëse e të palodhur deri në detaj, Sotiraqin, Silvën e Anilën, apo Linën buzagazë, me buzët gjithmonë të kuqe si imazh shprese të Onkologjikut, apo edhe Tinën e Mirën që nuk u ndihet dora kur bëjnë gjilpërat e vendos serumet. Falenderoj Anën, kryeinfermieren që menaxhon siguriplotë katër katet e një spitali të vështirë e që kurrë nuk tha “u lodha”. Nuk mund të mos përmend doktor Mentorin e Arturin e Neurologjisë me dëshirën e vullnetin për të ndihmuar çdo pacient. Ka dhjetëra e dhjetëra të tjerë që nuk i njoha drejpërdrejtë, por që i pashë katër vite me radhë, sesi u iknin ditët pa u ndjerë mes pacientëve që duan të mposhtin vdekjen. Nuk mund të mos falenderoj doktor Klodin e Spitalit Amerikan dhe stafin profesional që ka zgjedhur ta ketë pjesë të ekipit të shpresës: doktor Burakun, Olsivën e Tonin, Doktor Ben Dhimën e doktor Bledin e të palodhurën Oriela të kudogjendur. Ajo që Spitali Amerikan ofron sot, nga mënyra e mjekimit dhe shërbimit, duhet të jetë shembull menaxhimi edhe tek spitali shtetëror.

Nuk mund të mos përmend stafin e mrekullueshëm të spitalit të Lushnjes, Gentin e palodhur që për pacientët e pamundur sikurse edhe im atë, u shkon në shtëpi, Panorenë që u gjend pranë në çdo rast, e në fund, jo se janë të parëndësishëm, por janë më pranë familjes sime, dy doktorët e spitalit Kontinental, Vasil e Drita Lushnjari dhe doktoreshë Entela Bashën e Neurologjisë. Kam vërejtur këto katër vite, se pa ndihmën e gjithë këtyre doktorëve, mjekëve dhe infermierëve, por edhe pa dëshirën për jetën të babait tim, jeta e tij do të kishte qenë këto vite më e dhimbshme, dhe ditët tona si familjarë do të ishin, më të trishta. Nuk pres në përfundim të këtyre mendimeve të mia të kem komente pozitive, duke ditur se jashtë dyerve të spitalit ka me dhjetëra e dhjetëra pacientë që diku apo dikur, nuk kanë marrë shërbimin e duhur. Kam folur për mjekë heronj që luftojnë kundër vdekjes, dhe një shërbim spitalor që nga viti në vit vjen duke u përmirësuar. Ndaj ju them FALEMINDERIT…

*Newsbomb.al