Kosovë, Ahmeti: Festa atëherë kur të arrijmë standardet jetësore

44

vetvendosja Shpend AhmetiShpend Ahmeti i është drejtuar mijëra simpatizantëve të Lëvizjes Vetëvendosje pas konfirmimit të tij si fitues i garës për kryetar të komunës së Prishtinës. Ai ka thënë se nuk do të bëjë ndarje se e kujt është Prishtina, duke vlerësuar se kryeqyteti i Kosovës është i të gjithë banorëve të saj.

Ahmeti ka thënë se punë e madhe e pret pas marrjes së mandatit, por festat, sipas tij, do të jenë më të mëdha kur Prishtina të ketë ujë të pijshem, çerdhe për fëmijë, arsim më cilësor, transport publik e të tjera.

Ai ka thënë se të gjitha premtimet që i ka folur gjatë fushatës zgjedhore do t`i realizoj.

Ahmeti e ka thënë sërish se qe në fillim të marrjes së mandatit si kryetar i Prishtinës, do ta shes veturën zyrtare Audi Q7 me të cilën deri sot është përdorur nga Isa Mustafa.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e votuan , duke shtuar se pa një bashkim të tillë nuk do të mund të fitonte zgjedhjet në raundin e dytë.

“Kemi me festu deri ne 2:00 të natës, kur mund të lahemi me ujë, kemi me festu kur fëmijët kanë çka të hanë nëpër shkolla, kemi për të festu kur ta bëjmë transportin publik dhe nuk kemi problem me trafik më. Sonte e keni bërë ndryshimin më të madh që e ka bërë kombi ynë që një kohë të gjatë. Këtë e kemi bërë veç se jemi bashkuar për ndryshimin e madh që tash do të përflitet, por ky ndryshim do të bëhet edhe më i madh kur ta bëjmë Prishtinën ashtu siç duam ne, ashtu siç e ëndërrojmë ne, siç kemi thënë në program. Edhe ato fjalë që i kemi thënë gjatë fushatës do t’i mbajmë. Kemi me shit AudiQ7”, ka thënë ai.

E kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se nuk ka fitore më të madhe për Lëvizjen e tij sesa të fitojë kryeqytetin.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është fituesja më e madhe në zgjedhjet e 2013, duke paralajmëruar se në zgjedhjet nacionale do të jenë fituesit më të mëdhenj.

“Në vitin 2013 fituam kryeqytetin e Republikës. Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të vitit 2013. Kjo është një fitore e madhe, e një lëvizje të jashtëzakonshme, e një kandidati të shkëlqyer. Në vitin 2013 e kemi fituar kryeqytetin, në vitin 2014 në zgjedhjet parlamentare do të fitojmë në krejt Republikën e Kosovës. Ku ka më mirë se fitorja të nis në kryeqytet, prandaj ashtu siç kemi treguar, se bashkë është e mundur të fitojmë në Prishtinë, do ta tregojmë që bashkë do të fitojmë në krejt Kosovën”, ka thënë ai.

Festa e Lëvizjes Vetëvendosje ka vazhduar në sheshin “Ibrahim Rugova” ku më pas janë ndezur edhe shumë fishekzjarre.