A qajnë shqiponjat…?!

72

Julian Deda

“Tërmet, babi çohu, tërmet”, kjo ishte britma e fëmijeve të mi në oren 03:54 te datës 26 Nëntor. Ishte i fortë, i frikshëm, i paprovuar më parë, prandaj nuk pata kohë të bëja asgjë tjetër përveç se të qetësoja fëmijet ndërkohë që lëkundjet vazhdonin.

30 sekonda lëkundje në katin e pestë dukeshin si 30 ditë vuajtje. Nuk po mbaronte, nuk po ndalte. E vetmja gjë, tek e cila kemi besim është toka, ne i besojmë asaj gjithë qënien tonë, prandaj mbështetemi tek ajo, lëshohemi tek ajo. Toka u drodh, u lëkund dhe bashkë me të edhe besimi ynë tek ajo. Këtu fillon paniku, tmerri dhe padija për nje situatë të tillë.

Toka na “tradhetoi”, nuk na mbajti në mirëbesim, ajo na goditi. Toka i goditi shqiptarët. Toka goditi atdheun.

Shqipëria është vend i vuajtur, jemi goditur, jemi rrahur me vaj e me uthull, jemi lëkundur, jemi pushtuar dhe varfëruar, jemi fyer dhe tallur, kemi hequr keq si popull, edhe termetin kishim mangut. Çfarë tragjedie…!

Bilanc tragjik, bilanc lufte, njerëz të pafajshëm ranë viktima të “tradhetisë” së tokës. Më vjen keq, ah sa keq me vjen, që nuk mund ta ndaloj. E kujt nuk i vjen keq? Të gjithë ndjehemi njësoj, çdo shqiptar vuan dhe është pjesë e kësaj ngjarje.

Ashtu është, shqiptarët vërtetë i ndau politika, apo kufijtë por i bashkoi tragjedia, u bënë bashkë nga halli. Sot jemi të gjithë  këtu, në Shqipëri, dikush fizikisht, dikush me shpirt e me zemër, dikush me kontribute, pak rendësi ka se si, por shqiponjat janë sot në vendin e tyre, të gjithë bashkë përballë “tradhetisë” së tokës.

O Zot, vër dorë mbi këtë vend, mos na sprovo më, se nuk mbajmë shumë. Jemi lodhur, jemi dërrmuar dhe çdo lëkundje, e çfarëdo  lloji, na e bllokon frymëmarrjen. O Zot, të lutem shikoje Shqipërinë, është vend i bukur, Ti vete e ke bekuar si të tillë, me njerëz të varfër por që bëjnë shumë për njëri – tjetrin, shikoje dhe mos ja hiq sytë për një kohë të gjatë.

Bashkatdhetarë fshijini lotët, shqiponjave nuk u “lejohet” te qajnë, ato kane vetem nnë detyrë në këtë jetë hapin krahët, të mbajnë kokën lart dhe krenarë të ngrihen persëri majave. Është në ADN-në tonë të mos dorëzohemi. TgTëjithë bashkë do ja dalim. Ju du fort…!