Komisioni i Ligjeve miraton shkarkimin e Xhukës, opozita: Sulm i turpshëm ndaj ILDKP-së

61

zana-xhuka-03-2Komisioni i Ligjeve miratoi sot kërkesën e nënshkruar nga 51 deputetë të maxhorancës për shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive(ILKDP), Zana Xhuka.

Komisioni kishte parashikuar dhe një seancë dëgjimore me Inspektoren e Përgjithshme, por Zana Xhuka nuk ka qënë e pranishme në mbledhje.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj u shpreh se Xhuka ishte njoftuar zyrtarisht për mbledhjen dhe se ‘nuk ka njoftuar se nuk do të merrte pjesë’.

Shkarkimi i saj u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi përfaqësuesit e opozitës në këtë komision e kanë braktisur mbledhjen. Sipas Oerd Bylykbashit, ky është një sulm i turpshëm mbi ILDKP.

“Kjo është një përpjekje për herë të dytë për të shkarkuar Xhukën. Por shkarkimi i saj është një tentativë e paligjshme. Kontrolli që bëri komisioni i Ligjeve në ILDKP ishte i paligjshëm”, tha ai.

Sipas përfaqësuesit të PS-së në komision, Armando Subashit, ILDKP ka kryer punë të dobët nën drejtimin e Xhukës. “Zana Xhuka nuk ka përfillur Kuvendin. Nuk bashkëpunoi me Kuvendin për 2 dekretet e presidentit”, tha ai më tej.

Po sipas Subashit, emërimi i saj nuk ka plotësuar dy kritere artë të arsimit dhe vjetërsisë në punë.

Maxhoranca, pak kohë më parë, ngriti një grup kontrolli për të verifikuar punën në ILDKP, pas ankesave të punonjësve të këtij institucioni, për mangësi dhe shkelje në drejtimin e tij. Raporti i hartuar nga ky grup kontrolli, i cili u bojkotua nga opozita, konstatoi shkelje në ILDKP, ndërsa veprimet e inspektores Xhuka i konsideroi penalisht të dënueshme dhe në shpërdorim të detyrës, duke propozuar shkarkimin e saj nga ky post.