Projektet që kalojnë në fazën e dytë të këtij konkurimi janë realizuar nga autorë dhe studio nga vende të ndryshme të botës si: L’AUC Paris, Djamel Klouche, Francë; DOGMA Martino Tattara, Belgjikë – Itali; HFF Simon Hartmann, Zvicër; MBAS Matthias Bauer, Gjermani; XDGA Xaveer de Geyter, Belgjikë.
Sipas burimeve të kësaj ministrie , 5 propozimet më të mira u përzgjodhën nga një Juri Ndërkombëtare, mes 45 studiove që aplikuan. Juria ishte e përbërë nga Rainer Hehl, Andreas Ruby, Anne Charlotte Malterre Barthes, Johan Anrys dhe Daniel Gjoni.
Në përfundim të fazës së parë të konkursit, studiot që kanë përgatitur 5 propozimet e përzgjedhura do të ftohen në Vlorë, më datë 21 Shkurt për të prezantuar projektet e tyre drejtpërsëdrejti përpara Jurisë Ndërkombëtare dhe qytetarëve të Vlorës. Aty do të përzgjidhet edhe fituesi i konkursit dhe do të ketë 3 Çmime për tre propozimet më të mira, si edhe një çmim special për studion më të mirë vendase.
Në datën 21 Shkurt, në ceremoninë që do të zhvillohet në Teatrin “Petro Marko”, përvec 5 prezantimeve të propozimeve të përzgjedhura, do të ekspozohen dhe 45 propozimet që kanë marrë pjesë në konkurs.
Ndërkohë që Juria Finale në datë 21 Shkurt do të ketë 9 anëtarë, mes tyre edhe arkitektin e mirënjohur dhe me një eksperiencë mjaft të spikatur praktike dhe akademike, Milanezin Stefano Boeri, shumë i njohur edhe për profesionistët shqiptarë.
Konkursi është organizuar për të mbledhur idetë më të mira të projektimit urban për një vijë bregdetare me gjatësi afërsisht 5 km dhe shtrirje nga Pylli i Sodës deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë.
Konkursi u publikua në një faqe të dedikuar interneti www.vlorawaterfront.al, por njoftimi i çeljes së tij u publikua edhe në disa faqe ndërkombëtare konkursesh shumë të frekuentuara nga mjaft arkitektë dhe urbanistë.