Sipas vendimit, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke u zëvendësuar kështu Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në ligj.
Vendimi përcakton se paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, të jetë jo më pak se 19 026 lekë. Paga maksimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, të jetë 95 130 lekë. Ndërkohë, paga maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shëndetësore të jetë paga bruto, sipas përcaktimeve te mesiperme.
Për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e Punës, paga minimale mujore për llogaritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit 111, të ligjit të sipërpërmendur, e cila nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale, e përcaktuar më sipër.
Sa i takon llojeve, shumes dhe shpërndarjes se kontributeve, vendimi përcakton se “shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, të jetë 3.4 % të dyfishit të pagës minimale mujore, ne shumen 1 294 lekë.
I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të tretë, sipas vendimit, duke filluar nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore, në masën 23 % të pagës mujore minimale, prej 19 026 lekësh, e barabartë me 4 376 lekë në muaj. Ndërkohë, i vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, detyrim i barabartë me 1 294 lekë në muaj.
I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), që nga data 1 janar 2014 e në vazhdim paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore në masën 23 % të pagës mujore minimale, e barabartë me 4 376 lekë në muaj.
I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), që nga data 1 janar e në vazhdim paguan një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4 për qind të dyfishit të pagës minimale mujore, apo 1 294 lekë në muaj.
Vendimi përcakton që personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbim ambulant, nga data 1 janar e në vazhdim të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 3 794 lekë, nga të cilat 2 500 lekë për sigurime shoqërore dhe 1 294 lekë për sigurime shëndetësore.
Personat mbi moshën 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia e që nuk janë të punësuar diku tjetër paguajnë kontribute vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 3.4 % të dyfishit të pagës minimale mujore, në shumën 1 294 lekë në muaj. Sipas vendimit, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, është 4 200 lekë.
Ndërkohë, të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1 janar e në vazhdim, derdhin kontribut mujor për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në masën 3.4 % të dyfishit të pagës minimale mujore për efekt të kontributeve të sigurimeve shëndetësore të të vetëpunësuarve në bujqësi, të barabartë me një vlerë prej 286 lekësh në muaj.
Vendimi përcakton gjithashtu se për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 1 janar e në vazhdim, deklarohet dhe paguhet kontribut mujor në shumën 3 794 lekë, nga të cilat 2 500 lekë kontribut i detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe 1 294 lekë, kontribut i detyrueshëm për sigurimet shëndetësore.”.
Vendimi përcakton gjithashtu që kontributet e sigurimeve shëndetësore vullnetare derdhen në llogaritë bankare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.