“Është konsideruar që jam marrë me politikë, mbi të gjitha unë e kam lexuar këtë si një qëndrim të atyre që rrallëherë kanë parë një fitore të të humburit. Për këdo që priste përulësi si pasojë e një humbje, kjo u lexua si “marrje me politikë”. Shpreh keqardhjen time për çdo moment që më është dashur të mos debatoj fort se si të përmirësojmë jetën tonë çdo ditë, se si të mundim të lejojmë fëmijët të luajnë pranë shtëpive pa pasur një ankth prindëror për lojën e tyre. Kërkoj ndjesë që nuk kam mundur të flas për gjëra që do të mund të flisja me më shumë dashuri.
Por kërkoj gjithashtu mirëkuptimin tuaj për të ndjerë se sa shumë kushtëzime kemi qoftë edhe në atë që dimë të bëjmë më mirë. Për fatin tonë të mirë, një faktor pafundësisht më i rëndësishëm sesa unë ka hyrë në politikë kohët e fundit. Kush e ndjek me kujdes situatën në Shqipëri mund të ma konfirmojë këtë dhe mund të kuptojë që qytetari shqiptar tashmë reagon fort dhe nuk shqetësohet se në favor të cilit grup politik shkon akti i tij, ai nuk shqetësohet as kompleksohet më se si do ta etiketojnë. Asnjë arritje, asnjë majë, sado “Olimp” të jetë, nuk ka për të qenë kurrë e mjaftueshme. Nuk mendoj se duhej të dëshpëroheshim për mosarritje majash, por besoj shumë që do duhej të mos pendoheshim që nuk u takuam në këtë jetë me sfidat tona”.