PD, Ramës e Tahirit: Luftën ndaj drogës ia keni besuar ushtarit të Zani Çaushit

10

Edi_PalokaPartia Demokratike ka lëshuar akuza sot ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Saimit Tahiri për rekrutim të polici të rrjetit të kriminelëve. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, në një konferencë për mediat denoncoi skandalin e emërimit në Policinë e Vlorës të anëtarit të bandës së vitit ’97. Ky fakt sipas tij, justifikon edhe rritjen e sasisë së drogës me origjinë nga Shqipëria, te kapur ne vendet fqinje.

Deklarata e plotë:

Sot jemi këtu për të denoncuar një prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie në këto 4 muaj.Nëse doni të dini se si rilind policia e shtetit me këtë qeveri, shihni kush është emëruar së fundmi specialist i anti-drogës në Vlorë.Ardian Lici, ky emër mund të mos tregojë gjë për publikun masiv. Po për vlonjatët do të thotë shumë, sepse ata ende nuk i kanë harruar kohët e vështira të vitit 1997.

Ardian Lici ka qënë një nga ushtarët e Zani Çaushit, dhe kushdo mund të futet në you-tube e ta verifikojë këtë që po themi ne.Ky person me xhupin e zi të lëkurës, që Zani e urdhëron të kontrollojë makinat në urën e Mifolit, në postobllokun që banda e Vlorës ka ngritur, është Ardian Lici, dhe është vlerësuar nga Ministri i Brendshëm, dhe nga drejtuesit e policisë si specialist i përshtatshëm për të luftuar trafiqet e drogës.

Por kjo nuk është hera e parë që ushtari i Zanit shpërblehet nga socialistët. Mësohet se ai është emëruar në Policinë e Vlorës pas vitit 97, por është shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u gjetën në një vendngjarje, në një plagosje të rëndë.Tani, me Edi Ramën, erdhi koha që ushtari i Zanit të rilindë. Dhe rilindi, në radhët e anti-drogës së Vlorës.

Tashmë nuk ka asgjë për t’u habitur pse sasia e drogës së kapur në vendet fqinje me ne, që vjen nga Shqipëria, është rritur. Sepse luftën e drogës në vendin tonë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri ia kanë besuar ushtarit të Zani Çaushit. Kjo është rilindje e vërtetë.