Thellimi i dialogut politik dhe tregtisë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, procesi i integrimit i Shqipërisë si dhe çështjet me rëndësi dypalëshe do të jenë në qendër të takimeve të kreut të shtetit bullgar me autoritetet shqiptare.
“Bullgaria gjithmonë ka mbështetur dhe do të mbështesë integrimin e Shqipërisë. Bullgaria në qershor votoi pro marrjes së statusit kandidat për Shqipërinë dhe do të vijojmë të mbështesim edhe në qershor. Ne t`ju mbështesim në rrugën tuaj të integrimit dhe do të ndajmë me ju përvojat dhe gabimet që kemi bërë ne që rruga juaj drejt integrimit të jetë më efektive”, tha presidenti bullgar.
Ndërsa presidenti Nishani u shpreh se integrimi në Bashkimin Europian është objekti kryesor i Shqipërisë. Sipas kreut të shtetit, integrimi është një proces që duhet të bazohet në meritë dhe si i tillë Shqipërisë duhet t`i jepet statusi në qershor për arritjet që ka bërë.
“Integrimi është një proces që ka përpara sfidat e tij dhe për ti përmbushur të gjitha kriteret që duhet. Ne besojmë që në qershorin e ardhshëm të ketë një vendim pozitiv për Shqipërinë, por ky vendim është një stacion pasi rruga drejt integrimit ka shumë sfida përpara. Procesi i integrimit europian do të jetë i merituar dhe unë mendoj që Shqipëria, duhet të vlerësohet për atë që ka bërë deri më tani dhe të inaugurohet për atë që duhet të bëjë më pas”, tha Nishani.
Gjithashtu, kreu i shtetit të Bullgarisë do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Më pas në ambasadën bullgare në Tiranë, të dy presidentët Plevneliev dhe Nishani do të takohen me përfaqësues të biznesit, ku do të diskutohet për thellimin e tregtisë mes dy vendeve.
Më pas, të dy presidentët do të marrin pjesë në ekspozitën që do të zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, që do të zhvillohet në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në këtë eveniment do të performojnë edhe grupet folklorike nga të dyja vendet.
Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, presidenti bullgar Plevneliev do të takohet me kreun e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ndërsa do të vendosë edhe një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Gjithashtu presidenti bullgar do të zhvillojë edhe një vizitë në qytetin e Krujës, ku do të vizitojë edhe kalanë dhe muzeun etnografik.
Presidenti bullgar rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian duke theksuar se Bullgaria do të votojë pro marrjes së statusit në qershor.