“Sot u çel në Tiranë, nga bashkëpunimi mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me Agjencinë Federale Gjermane të Punësimit zyra e parë e Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Është hallka e parë e një zinxhiri shërbimesh për punëkërkuesit që do të shtrihet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, – tha kryeministri.
Sipas tij, pas shumë vitesh korrupsion dhe vulgaritet tallës me qytetarët që u gjenerua prej të ashtuquajturave zyra të punës, çelet një faqe e re e marrëdhënieve të shtetit me qytetarët në kërkim të një pune. “Do të jetë adresë e besueshme e një të riu e të reje në pragun e daljes nga rruga e gjatë e studimeve dhe e një punëkërkuesi të hershëm apo në tërësi e shqiptarëve që jetojnë këtu apo jashtë.
Është dallëndyshja e parë që lajmëron një stinë tjetër në marrëdhënien e qytetarit me punë-kërkimin, shënon dhe hapjen e një faqeje të re në raport me punë-kërkimin. Modeli ynë i zhvillimit ekonomik do të rrisë punësimin”, – tha Rama.
I bindur se edhe kjo zyrë do të ngjallë reagimin e kundërshtarëve kryeministri ka siguruar transformimin e shtetit shqiptar, ndërsa garantoi modernizimin e shtetit. Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, sqaroi se çdo i ri mund të sjellë CV-në e tij në këtë zyrë si mundësi për t’u punësuar.
Gjithashtu online është hapur dhe faqja zyrtare www.puna.gov.al ku të rinjtë mund të aplikojnë për punësim. Ai shtoi se janë 2180 vende pune për ata të rinj që duan të aplikojnë. “
Trefishuam fondin e punësimit. Do të hapim një konkurs ku të gjithë punëdhënësit të kenë akses në këtë shërbim. Ishim dëshmitarë të një rritjeje ekonomike që s’ka sjellë punësim, tani Zyra e punës do të jetë një faktor që do të ndërmjetësojë krijimin e vendeve të reja të punës” – tha Veliaj.
Ministri i ri i kabinetit qeveritar i përcolli dhe një mesazh të rinjve: “Se më mirë është të punosh, me çfarëdo page, sesa të rrish kafeneve dhe të luash bixhoz. Madje puna e parë është një mundësi fantastike për të filluar karrierën. Ndoshta puna e parë nuk është puna e ëndrrave tuaja, por as Edi Rama nuk nisi punën e parë si kryeministër, as Ettore Sequi nuk nisi punën e parë si ambasador”, – shtoi ai.
Nga ana e tij ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i pranishëm në aktivitet, tha se BE-ja ka dhënë 16 milionë euro në këtë sektor vitet e fundit dhe 4.5 milionë euro janë parashikuar t’i jepet mbështetje arsimit profesional dhe trajtimeve profesionale.
“Duam që Evropa dhe Shqipëria të shikojnë drejt së ardhmes me shpresë e jo frikë. E ardhmja i përket atyre që suksesi është rezultat jo i koincidencave, por i ndryshimit “- tha Sequi.
E ndërsa bëhej inaugurimi i zyrës së re, disa ish punonjës të Shërbimit Kombëtar të cilët janë prekur nga shkurtimet në administratë kanë dalë në protestë përballë ambienteve të reja të zyrës së punës duke e konsideruar si turp sjelljen e Qeverisë me administratën.