“Partia Demokratike e konsideron shpërthimin e granatës në derën e shtëpisë së kryetarit të PD-së së Pogradecit, ku e gjithë familja e tij ishte prezent, si shenjë të pasigurisë së madhe publike, të rritjes së kriminalitetit në vend, dhe të lehtësisë me të cilën goditen përfaqësuesit e opozitës.
Partia Demokratike është në krah të z. Lipo dhe të familjarëve të tij, që janë tronditur jashtë mase nga kjo ngjarje e rëndë.
Qëkur ka ardhur në pushtet, kjo qeveri ka krijuar dhe nxitur një klimë agresiviteti ndaj opozitës. Kërcënime në parlament, dhe dhunë shtetërore e kriminale ka pasur vazhdimisht në këto muaj ndaj demokratëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike. I bëjmë thirrje qeverisë të heqë dorë nga skenari i kërcënimit të kundërshtarit politik, pasi ky është një skenar me pasoja të rënda për vendin.
I bëjmë thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë të reagojnë shpejt dhe me forcë, për të vënë para përgjegjësisë autorët e këtij akti kriminal ndaj kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Pogradec dhe familjes se tij”, tha Vorpsi.