PD: MB, 100 ditët e kthimit të Policisë së Shtetit në polici partiake

52

ARben RistaniDeputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani me anë të një deklarate për mediat ka akuzuar Ministrinë e Brendshme se në 100 ditët e saj të qeverisjes policia është kthyer në një fushatë ndëshkimi me gjobat. Ristani i ka cilësuar këto 100 ditë si ditët e shkeljes së ligjit, dhe çoroditjes së Policisë së Shtetit, të lulëzimit të krimit, të shtimit të aksidenteve e trafiqeve të paligjshme, të rritjes së pasigurisë së jetës.

“100 ditët e Ministrisë së Brendshme, janë 100 ditët e kthimit të Policisë së Shtetit në polici partiake. Janë 100 ditët e shkarkimit të profesionistëve dhe zëvendësimit të tyre me militantët, numëruesit dhe komisionerët zgjedhorë të PS-së. Janë 100 ditët e shkeljes së ligjit dhe çoroditjes së Policisë së Shtetit, të lulëzimit të krimit, të shtimit të aksidenteve e trafiqeve të paligjshme, të rritjes së pasigurisë së jetës. Janë 100 ditët e bombave me telekomandë dhe grabitjeve me maska. Janë 100 ditët e kontrollit dhe censurimit të buletineve dhe informacionit mbi kriminalitetin. Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ose siç njihet, numëruesi i parë i votave të Partisë Socialiste, nga drejtuesit e policisë në qarqe që marrin poza në mes të arës me hashash, e deri tek shefi më i thjeshtë, të gjithë erdhën në poste, u promovuan falë shërbimit të tyre politik, si komisionerë, donatorë apo edhe kandidatë për deputetë të Edi Ramës.

Në këto 100 ditë është dyfishuar sasia e drogave të forta që shkon në vendet fqinje, Itali e Greqi, nga Shqipëria. Në këto 100 ditë, numri i krimeve kundër jetës, i grabitjeve, vjedhjeve dhe vjedhjeve me dhunë, është dyfishuar, dhe bashkë me këtë ka rënë forca zbuluese e policisë dhe është rritur pasiguria për jetën për qytetarët e vendit.  Sipas të dhënave, numri i aksidenteve në rrugët tona është rritur me 30 % në këto 100 ditë, dhe për fat të keq, po kaq është rritur dhe numri i viktimave. Është dyfishuar numri i personave që trafikohen dhe emigrojnë në mënyrë të paligjshme krahasuar me një vit më parë, duke vënë kështu në rrezik integrimin europian të vendit dhe privilegjin e lëvizjes pa viza.

Vetëm pak ditë më parë këtë shqetësim e ngriti Kryeministri Britanik, Daivid Kamerun, i cili nuk u përgënjeshtrua sepse nuk mund të përgënjeshtrohej nga Rama dhe Tahiri. Në këto 100 ditë ka rënë bashkëpunimi i policisë me organizatat partnere, dhe numri i operacioneve të përbashkëta. Një fushatë ndëshkimi me gjoba ka nisur kudo, dhe çdo ditë dhjetra e qindra qytetarë detyrohen të paguajnë për kundravajtje që nuk i kanë bërë. Ndërkohë që Ministri dhe Kryeministri bëjnë shfaqje televizive dhe përdorin policinë për interesat e tyre, si në cdo drejtim tjetër ata po asgjësojnë transparencën përsa i përket kriminalitetit. Tashmë të gjithë janë të bindur se këto 100 ditë janë një ogur i keq edhe për ditët që vijnë”, u shpreh Ristani.