PD: Rama inskenon atentat me eksploziv

76

keltis krujaPartia Demokratike akuzon Kryeministrin Rama për inskenim të ngjarjes së sotme para Kryeministrisë, ku në makinën e prefektit të Vlorës u gjetën 200 gr material eksploziv. Në emër të PD, deputeti Keltis Kruja tha për mediat se ky është një inskenim teatral.

“Pas 3 orësh hetimi para kamerave rezultoi se vetura që tronditi Kryeministrin, ishte e Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ku sipas policisë, eksplozivin e zbuloi garda. Burimet tona sigurojnë se z. Dervishi është ftuar nga garda për të futur makinën aty ku nuk duhej dhe ka deklaruar vetë se ka parë diçka të dyshimtë. Të gjitha të dhënat tregojnë se kemi të bëjmë me një inskenim teatral”, theksoi Kruja.

Më tej, deputeti demokrat lëshoi fyerje në adresë të kryeministrit, të cilin e akuzoi për përpjekje për të larguar vëmendjen e publikut nga rritja e taksave.   “Akti i sotëm, tregoi se me shashka tenton të justifikojë shtimin e blindit dhe shumëfishimin e rojeve, por siç tashmë thonë qytetarët, Rama ka lindur në oturak dhe kot e ka se nuk bie rrufeja mbi të. Ngjarja e sotme nuk është vetëm shumë zhurmë për asgjë, por edhe një tymnajë e radhës për të larguar vëmendjen e publikut nga projekti i Kryeministrit për rritur taksat e për të ushtruar trysni ndaj biznesit”, u shpreh Kruja.