Shqipëria anëtare e Europol-it, firmoset marrëveshja në Hagë

56

tahiriNënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit strategjik dhe operacional midis Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Europiane (Europol). Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi kanë zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Selinë e Europolit, në Hagë të Holandës, ku me këtë rast është firmosur edhe marrëveshja e bashkëpunimit.

Me këtë marrëveshje marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet Europolit dhe Republikës së Shqipërisë do të ngrihen në një nivel të rëndësishëm duke mbështetur Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian në përballjen e tyre me format më të rënda të krimit të organizuar, si dhe duke u radhitur në krah të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian drejt rrugës së integrimit të plotë e të sigurtë.Marrëveshja me Europol e afron edhe më shumë Shqipërinë me vendet e BE.

Marrëveshja e nënshkruar sot parashikon një sërë zhvillimesh pozitive për Policinë e Shtetit, por edhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në vend. Kështu:

• Për nga mënyra dhe përmbajtja e këtij bashkëpunimi, Republika e Shqipërisë afrohet më tepër me Europolin, vendet e Bashkimit Europian dhe vetë Bashkimin Europian, duke bashkëpunuar sipas standardeve evropiane të BE-së.
• Rritet besueshmëria e punës së agjencive ligjzbatuese përkatëse.
• Bashkëpunimi dhe kontributi i Republikës së Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian dhe me agjencitë ligjzbatuese të Bashkimit Europian do të forcojë më tej luftën kundër krimit të organizuar duke garantuar rendin publik dhe në respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve në fushën e lirisë, sigurisë dhe të drejtësisë.

Qëllimi i kësaj Marrëveshje bazohet në platformën dhe në vullnetin e përbashkët të palëve për të luftuar format e rënda të krimit të organizuar siç janë ato që kanë të bëjnë me:

• Trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike;
• Aktivitetet e paligjshme të pastrimit të parave;
• Trafikimin e qenieve njerëzore;
• Trafikimin e mjeteve motorike;
• Tregtimin e paligjshëm të organeve dhe indeve njerëzore;
• Trafikimin e paligjshëm në vlerat kulturore, duke përfshirë veprat antike dhe veprat e artit;
• Shantazhin dhe shfrytëzimin;
• Falsifikimin e parave dhe të mënyrave të pagesave;
• Krimin kompjuterik;
si dhe me forma të tjera të krimit, të përmendura në marrëveshje.

Gjatë takimeve zyrtare që ka zhvilluar në Hagë, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka garantuar zyrtarët e lartë të Europol për angazhimin dhe përkushtimin maksimal të Qeverisë Shqiptare dhe Policisë së Shtetit në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.

Sipas tij rezultatet e dy muajve të fundit janë një tregues i qartë i këtij angazhimi si dhe vlerësimit që u ka bërë Qeveria Shqiptare çështjeve të shtetit ligjor në përputhje me standardet e vendeve të Bashkimit Europian.

Drejtori i Europolit, Rob Wainwright, theksoi përparimin në drejtim të bashkëpunimit midis autoriteteve shqiptare dhe policisë së BE-së.

“Përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ne konfirmojmë angazhimin tonë të përbashkët dhe solidaritet në luftën kundër krimit të organizuar dhe të gjitha format e veprimtarisë terroriste , ” tha Wainwright.