Këshilli i Sigurimit i KB-së debaton sot për Kosovën

51

keshilli_i_sigurimit_i_kb_se_mNë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot debatohet për Kosovën. Gjatë debatit do të kihet parasysh edhe raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Ban Ki-Moon, për zhvillimet në Kosovë, prej 16 korrikut e deri më 15 tetor të vitit 2013.

Në raportin e tij prej 17 faqesh, që është publikuar në Internet, theksohet se situata e sigurisë “në Kosovë ka mbetur në përgjithësi e qetë, me incidente të herëpashershme të raportuara në hapësirat e përziera etnike”.

Megjithatë,thuhet se “të gjitha palët duket se demonstrojnë një përkushtim në rritje për parandalimin e tensioneve në terren për ta mundësuar dialogun e nivelit të lartë dhe për lëvizjen përpara të procesit implementues”.

Në raportin e tij, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, e lavdëron si Beogradin ashtu edhe Prishtinën, për angazhimin e vazhdueshëm aktiv në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, “një numër i sfidave, që janë paraqitur në proces kanë marrë përgjigje nga liderët politikë në Beograd dhe Prishtinë, me vizion dhe këmbëngulje, duke rezultuar me kompromise të mëtejshme dhe me forcimin e konsensusit, dhe në këtë mënyrë është mbajtur lëvizja përpara e procesit”.

Ban Ki-Moon konsideron se “do të jetë e rëndësishme për palët që ta vazhdojnë implementimin e marrëveshjeve me besim, pa i rihapur rezervat e tyre”.

Në këtë kuadër, në raport theksohet se “angazhimi aktiv i Bashkimit Evropian, përfshirë rolin personal të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, po ashtu vazhdon të jetë esencial”.

Më tej, vlerësohet se “prita brutale kundër EULEX-it, më 19 shtator, që ka rezultuar me vdekjen tragjike të oficerit doganor të EULEX-it, ishte incidenti më serioz në periudhën e raportimit dhe pengesë trazuese”.

Rrjedhimisht, “të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë më nga afë me EULEX-in dhe policinë e Kosovës, në hetimet që po zhvillohen për të siguruar se kryerësit të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë dhe të bëjnë çdo përpjekje për parandalimin e përsëritjes së incidentit të tillë”.

Këtij raporti i është bashkangjitur edhe aneksi i Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri për aktivitetet e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, që është miratuar nga shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt.

Në seancën e sotme pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç.