Basha në ditën e çlirimit të Tiranës: Ditë refleksioni për të ngritur lart vlerat e lirisë

51

Lulzim-Basha-Varrezat-e-DesNë 69-vjetorin e çlirimit të Tiranës, Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka kryer homazhe dhe ka vendosur kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve.  Kryebashkiaku Basha, tha se sot është dita e reflektimit, për të mos i lënë të tradhtohen vlerat e lirisë dhe demokracisë, për të cilat shqiptarët kanë paguar shtrenjtë.

“Sot është një ditë e veçantë për kryeqytetin, është dita e çlirimit të tij. Është një ditë gëzimi, por është një ditë që nis gjithmonë me nderimin për ata që flijuan gjithçka edhe jetën e tyre për një kauzë kaq të lartë dhe të pavdekshme siç është liria e Atdheut. Ndaj sot përulemi si çdo vit me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe për ata që mbetën përgjithmonë të rinj dhe që prehen në altarin e Dëshmorëve të Atdheut, këtu në Tiranë por edhe në qytete të tjera, duke nderuar kontributin e tyre dhe sakrificën e tyre sublime.

Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, për brezin e ri, për çdo shoqëri të lirë, të njohë, të respektojë, të përkulet me nderim të thellë përpara kësaj sakrifice. Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne që të mos i tradhtojmë më parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë, të Shqipërisë së lirë dhe demokratike për të cilën u flijuan të gjithë dëshmorët e betejës për çlirimin e Tiranës dhe në tërësi të luftës Nacional Çlirimtare.

Ndaj përtej një dite përkujtimi, kjo është edhe një ditë refleksioni për përgjegjësitë tona sot dhe të brezave të ardhshëm, për të kultivuar dhe për të ngritur më lart vlerat e lirisë, vlerat e demokracisë dhe për të mos i lënë më kurrë të tradhtohen këto ideale që kemi paguar kaq shtrenjtë”,- tha Basha.