Grupi Parlamentar i PD-së ka vendosur dje të mbështesë protestën, por asnjë deputet i PD-së nuk duhet të marrë pjesë në të, në mënyrë që të mos politizohet situata.
Gjatë një prononcimi për mediat në përfundim të mbledhjes, e cila zgjati rreth 70 minuta, kreu i opozitës i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama t’i japë zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje.
“I bëj thirrje sot në emër të opozitës t’i japë fund kësaj maskarade. Të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të bëjë transparencën e vërtetë, të deklarohet haptazi dhe prerazi pro interesit publik, kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Shqiptarët nuk kanë pse të kalojnë asnjë orë të vetme në ankth dhe aq më shumë një natë të tërë apo net të tëra”, u shpreh Basha.