Komisioneri Fyle në Tiranë, për dialogun e nivelit të lartë me Shqipërinë

53

StefanFuleKomisioneri për Zgjerimin, dhe Politikat e Fqinjësisë në BE, Stefan Fyle, mbërrin sot në Tiranë për dialogun e nivelit të lartë me autoritetet shqiptare për përmbushjen e 5 kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin dhjetor dhe nisjen e negociatave për anëtarësim.

Fyle do të takohet me Presidentin Nishani, me kryeministrin Rama me të cilin do të ketë edhe një konferencë shtypi në selinë e Kryeministrisë, me kryeparlamentarin Meta, ministrin e Jashtëm Bushati dhe kreun e PD-së Basha.

Në progres-raportin e tetorit, Komisioni rekomandoi dhënien e statusit për Shqipërinë, ndërsa 5 kushtet për hapjen e negociatave janë reforma në administratën publike, pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit, masat në luftën ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, veçanërisht romëve. Praktika e dialogut të nivelit të lartë është përdorur me vende të tjera të Ballkanit. Ajo synon rritjen e angazhimit dhe të vullnetit politik në nivelin më të lartë me qëllim afrimin e shpejtë të vendit drejt hapit të radhës pas statusit: hapjen e negociatave për anëtarësim. Kryefjalë e axhendës së komisionerit do të jetë integrimi i Shqipërisë dhe arritja e rezultateve deri në muajin dhjetor, me qëllim që vendet anëtare të miratojnë statusin në samitin e fundvitit.