Takimi informal ka zgjatur për gati një orë, mesditën e sotme.
Pas takimit dhe pasi zhvilluan homazhe në nderim të ushtarëve britanikë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi për mediat se vendimmarrja për çështjen e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, do të bëhet përmes një procesi transparent.
“Ka qene një bisedë informale, shoqërore mbas një aktiviteti të përbashkët në kujtim të të rënëve britanikë. Për sa i takon çështjeve të kapaciteteve tona, unë i qëndroj deklarimit që kam bërë që Shqipëria do të marrë gjithë ato përgjegjësi që mbajnë supet e saj ndërsa kjo është një çështje tjetër. Më duhet t’ju them që Shqipëria ka marrë, do të marrë gjithë përgjegjësitë që ajo është në gjendje të mbajë dhe padyshim që gjithçka do të diskutohet dhe do të vendoset në një proces tepër transparent, nuk ka asnjë arsye për të paragjykuar këtë proces”,- u shpreh Meta.
Ndërkohë pak ditë më parë, në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Meta deklaroi se Shqipëria s’ka kapacitete për asgjësimin e armëve kimike dhe se shteti ynë nuk mund të marrë përsipër përgjegjësi, të cilat nuk i mbajnë supet e tij.