Turqia progres drejt BE-së, hapet një tjetër kapitull negociatash

47

eu_turkey_flagNesër pritet të zhvillohet në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare mbi Zgjerimin. Pas një bllokimi prej më shumë se tre vitesh, në kapitujt e negociatave me Turqinë, do të hapet një kapitull i ri, në kuadrin e negociatave të aderimit të Turqisë në BE. Ministrat e Shteteve Anëtare të BE-së kanë aprovuar hapjen e kapitullit 22 të negociatave, duke krijuar mundësinë e rimarrjes së procesit të negocimeve përgjatë presidencës lituaneze, të Këshillit të BE-së.

Sipas njoftimi për shtyp të Presidencës lituaneze, Ministri lituanez i Punëve të Jashtme, Linas Linkevičius do të kryesojë delegacionin e Bashkimit Europian në këtë Konferencë, ndërsa delegacioni turk do të përfaqësohet nga Ministri turk i Punëve Europiane dhe negociatori kryesor Egemen Bağış dhe Ministri turk i Politikës Rajonale dhe të Zhvillimit Cevdet Yilmaz. Komisioni Europian do të përfaqësohet nga Komisioneri i ngarkuar për Zgjerim dhe Politikat Europian të Fqinjësisë, Štefan Füle.

Hapja e kapitullit 22, që ka të bëjë me Politikat Rajonale dhe Koordinimin e Instrumenteve Strukturorë, është aprovuar gjatë mbledhjes së Këshillit të Punëve të Përgjithshme më 22 tetor nga Ministrat e Shteteve Anëtare të BE-së, duke hapur mundësinë për rinisjen e procesit të negocimeve.

Komisioni Europian ka publikuar më 16 tetor, raportin vjetor të avancimit të Turqisë, ku është nënvizuar, se Turqia është një partner strategjik i BE-së dhe se një proces aderimi aktiv dhe i besueshëm mund të shfrytëzojë më mirë potencialin e marrëdhënieve midis BE-së dhe Turqisë. Komisioni Europian e vlerëson si një hap të rëndësishëm përshpejtimin e negociatave të aderimit, që do të rimarrin hapjen e kapitullit 22 të negociatave.

Vendet që aderojnë në BE, duhet të kryejnë negociatat mbi 35 kapituj, që përfshijnë të drejtën juridike. Nga 35 kapituj, Turqia ka filluar negociatat mbi 14 kapituj dhe ka përmbyllur vetëm një prej tyre./i.t/