Kryetari i Shoqatës Çamëria, Ardian Tana, në një konferencë për mediat, i ftoi të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në protestën paqësore për presidentin grek.
” Vizita dy ditore e presidentit grek, Karolos Papulias, në Shqipëri, është rasti më i mirë që shoqata Çamëria t’i bëjë të ditura institucioneve greke në nivelin më të lartë, se problemi çam ekziston dhe se koha nuk pret më për zgjidhjen e tij.
Afro 20 vjet më parë, në vitin 1994, në cilësinë e ministrit të jashtëm, zoti Karolos Papulias i kishte thënë homologut të vet zotit Alfred Serreqi, se çështja çame nuk mund të zgjidhej atëherë kur plagët ishin ende të hapura dhe se do duhej të kalonin 20 vjet, që ajo të përballohej qetësisht. Duke respektuar rekomandimin e tij, ne besojmë se zoti Papulias nuk do të tërhiqet nga ajo çfarë ka thënë 20 vjet më parë “, -ka deklaruar Tana.
Më tej ai ka shtuar : “Ne i kërkojmë presidentit grek të rreshtohet me atë pjesë përparimtare të qarqeve akademike, të shoqërisë civile greke që e pranon fajin e vendit të vet ndaj komunitetit çam dhe kërkon pagimin e këtij borxhi që gjendet në sirtarët e historisë.
Në emër të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, Greqia duhet të abrogojë të gjithë ato ligje që bien ndesh me të, në veçanti ligjin e luftës”.
Tana i ka kërkuar presidentit grek që të pranojë ngritjen e varrezave të komunitetit çam në Greqi.
“Në veçanti, meqenëse Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të komunitetit çam, dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmorët tanë në luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj “, -ka përfunduar kreu i shoqatës Çamëria.