‘’Në emër të Institucionit të Avokatit të Popullit jam sot këtu për të përshëndetur dhe mirëpritur raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Avokati i Popullit e vlerëson këtë dokument, si një dokument pune shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut. Një kontribut i çmuar për zhvillimin, promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Ne konstatojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes të të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në të gjejnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si: gjendja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi të kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjendja e të drejtave të njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGBT, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave.
Ne i konsiderojmë si mjaft të rëndësishme problematikat e ngritura nga raporti i DASH dhe do i përkthejmë ato në prioritet dhe program pune për institucionin.
Institucioni i Avokatit të Popullit konstaton me kënaqësi dhe ndihet i vlerësuar që me punën e tij ka shërbyer si nje burim i besueshëm informacioni për prezantimin e situatës të gjendjes të të drejtave të njeriut në Shqipëri
Së fundmi, do doja të falenderoja punën e stafit te institucionit tone te cilët me punën e tyre, profesionalizmin, pavarësinë dhe paanësinë kane arritur ta shndërrojnë Avokatin e Popullit në një institucion të besueshëm për qytetarin, partneret dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.’’ e.k/