Duke iu referuar sërish konsensusit, dhe pas përdorimit të terminologjisë së armëve të ftohta dhe ato të zjarrit nga Kryetari i PD-së Lulëzim Basha, fjalori pasurohet me shpërthim eksplozivi, kësaj here nga Kryetari i Grupit Parlamentar, Edi Paloka.
“Sot konsensusi është hedhur në erë. Për hir të pazareve të pista të Ramës me Koçon, që po ndajnë sinoret, po kërkohet të ndyhet edhe ky Kuvend. Ju keni vendosur që “jashtëqitjen” e Ramës në qeveri ta kaloni për ta “përmjerë” këtu në Kuvend, pa i dhënë shans as Gjykatës Kushtetuese.
Konsensusi nuk bëhet me kile deputetësh dhe ne do t’ju lëmë ta shijoni, pa u bërë pjesë e këtij procesi. Rama e ka nisur punën në përplasje me opozitën dhe shumë shpejt do ta çojë në përplasje me gjithë shqiptarët,” –deklaroi Paloka.
Gjuha e përdorur nga Kryetari i PD-së, Lulëzim Basha, ku i referohet për shpjegim logjike armëve të ftohta dhe atyre të zjarrit, në lidhje me konsensusin, se ai u ekzekutua me kobure.…dhe një ditë më pas, se atij iu ngul thika…. i shtohet dhe terminologjia e artilerisë së rëndë ajo e shpërthimit me eksploziv ….se konsesusi u hodh në erë, nga ku na ngelet vetëm të shpresojmë, se është një fjalor, i cili artikulohet rastësisht dhe nuk vjen si pasojë e mentalitetit fabrikues personal apo partiak.