Çfarë administrate kërkon Lulzim Basha?

65

52206basha_1Nga Bashkim Muça*

Lulzim Basha shkarkoi gjithë falsitetin e tij në krye të një tavoline të madhe ovale, vendosur në ambjentet e SHQUP-it, nga ku sheh gjithnjë majtas. Më pas mblodhi përfaques të disa vendeve të BE-së për të shprehur, me demek, shqetësimin e tij rreth një thashethemi të përhapur për shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të Ligjit për Nëpunësin Civil dhe po vazhdon me të njëjtën frymë në çdo dalje publike.

E para gjë që bie në sy në shfaqjet e “Kryetarit” të PD-së është hipokrizia lidhur me qasjen ndaj administratës publike, në emër të konsensusit. Sipas Lulzim Bashës spastrimi i administratës publike përbëka rrezik vetëm kur të majtët vijnë në pushtet, ndërsa nuk na paska qenë fare rrezik kur ai, dora vetë, bëri çfarë deshi me administratën e Bashkisë së Tiranës, në vitin 2011 me socalistët e PS-së dhe në vitin 2013 me socialistët e LSI-së. Lulzim Basha, në mënyrë të pamoralshme, largoi votues të drejtpërdrejtë të tij (kujtojmë se ai “fitoi” falë mbështetjes së LSI-së), që kontribuan për të njësoj si përkrahësit e PD-së!

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari kukull i PD-së gënjeu kur tha se kishte larguar nga Bashkia vetëm stafin politik. Unë njoh jo një, jo dy, por dhjetra specialistë, përkrahës të LSI-së, të larguar nga puna brenda disa ditëve gjatë muajit Maj. Mjafton kaq për të kuptuar se sa seriozisht duhen marrë daljet e tij rutinë për “mbrojtjen e administratës publike”. Lulzim Basha është personi i fundit që do të kishte të drejtë të fliste për çështje të administratës civile.

Për të shkuar më tej Qeveria e ish Kryeministrit Sali Berisha bëri spastrime masive në administratën publike, në vitin 2005 duke larguar përkrahësit e së majtës (PS-së dhe LSI-së) ndërsa në Prill të vitit 2013 bëri masakër ndaj përkrahësve të LSI-së, të cilët i “ekzekutoi” me lista njësoj si në kohën e nazizmit. Dhjetra drejtues dhe specialistë u larguan nga administrata qendrore dhe vendore, pas përfundimit të koalicionit PD-LSI, pa asnjë shkak të arsyeshëm, në kundërshtim me ligjin dhe u zëvëndësuan me militantë të gjetur rrugës (për të mos kujtuar nenin 24/1 në qeverisjen e parë të tij gjatë viteve 1992-1997 me të cilin bëri kërdinë në administratë). Kjo është ana morale.

Le të vijmë tani te ligji. Me 84 vota shumica e sotme do të ishte tërësisht në të drejtën e vet për të shtyrë, ose për të bërë amendime në ligjin për Nëpunësin Civil. Konsensusi kërkohet kur shumica nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të kaluar një ligj, ose për të bërë një ndryshim. Në këtë pikëpamje, shumica e sotme e ka konsensusin me votuesit.

Nëse PD-ja e para 23 qershorit do t’i kishte numrat në Parlament, për të kaluar tre ligjet, mendoni se do kishte kërkuar konsensus?! As që do kishte nevojë ta kërkonte. Duhet të jemi korrekt kur flasim për konsensus. Se sa të gatshëm janë për konsensus demokratët e treguan në rastin e zgjedhjes së Presidentit, ku fryma e Kushtetutës e kërkonte atë (në tre votimet e para). E kemi të freskët këtë rast kur Sali Berisha u tall me oponionin e publik, deri edhe me të tijët, e në fund përfundoi aty ku e kishte paramenduar.

Spekullimi me konsensusin është tymnajë e stilit të vjetër të PD-së që askush i ditur nuk e ha. Të kundërshtosh ndryshimin e ligjit me 84 vota, në emër të konsesusit është njëlloj sikur shumica e sotme të kundërshtojë Presidentin në emër të moskonsesusit të dikurshëm, pas raporteve të reja të krijuara në Parlament.

Lulzim Basha flet për konsensus në kushtet kur shumica e sotme nuk ka nevojë për konsensusin e tij. Pra ai kërkon të bëhet i pranishëm në një sofër ku nuk është e nevojshme prania e tij. Konsensusi në radhë të parë është shumica ligjore, kushtetuese, ose konsensusi me qytetarët. Aty ku ai mungon, atëhere futen në lojë palët.

Çfarë administrate kërkon Lulzim Basha? Aministratë të mbushur me militantë të PD-së ku mësuesi i fillores drejton në institucione qëndrore inxhinierike, agronomi në Ministrinë e Brendshme, apo marangozi merret me çështje të ushqimit? Mos duhet pritur me muaj apo edhe me vite për të bërë një gjë për të cilën vendosën qytetarët më 23 Qershor?

Të emëruarit vetëm politikisht, do duhet të ikin me të njëjtën mënyrë, duke pasur, jo privilegje, por shanse për të konkuruar njësoj si të tjerët. Askush nuk ndalon askënd për të konkuruar bazuar në ligjin e ri për Nëpunësin Civil. Nga ana tjetër askush nuk duhet, ndërkohë, të gëzojë privilegjin për të mbetur në një detyrë civile vetëm për arsye politike. Në vend që të harxhojë energji dhe të merret me spekullime, opozita do duhej të përqëndrohej në atë se si do të zbatohet Ligji për Nëpunësin Civil në momentin kur konkurimi për administratën të ketë filluar. Ky do të ishte konsensusi më i mirë.

DITA