Kreu i grupit parlamentar të majtë në Parlamentin Europian. Hannes Swoboda shprehet se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të jetë prioriteti kryesor për qeverinë “Rama”.
Për sa i përket koalicionit PS-LSI, Swoboda thekson se të dyja këto forca janë parti progresive pro-europiane dhe që të dyja janë plotësisht të vetëdijshme për nevojën e reformave të Shqipërisë.
Sa i takon largimit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike nga salla e parlamentit kur kryeministri Rama mbajti fjalën e tij të parë, Hannes Swoboda e cilëson një shenjë të keqe dhe sqaron se një shtet funksional demokratik ka nevojë për një opozitë konstruktive.
“Kjo nuk është shenjë e mirë që opozita u largua nga parlamenti gjatë fjalës së parë të Kryeministrit Rama. Një shtet funksional demokratik ka nevojë për një opozitë konstruktive. Transferimi demokratik paqësor dhe transferimi i njohur i pushtetit mes palëve është gur themeli i demokracisë. Përmes bojkotit të qeverisë, Partia Demokratike vetëm do të vonojë ambiciet europiane të vendit. Që të dy, ish- Kryeministri Berisha dhe kreu i partisë Basha, janë angazhuar për të punuar drejt anëtarësimit në BE. Unë pres që ata të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në punën parlamentare dhe në opozitë”./Tema