Vetëdorëzohet në polici deputeti neonazist grek, Kristos Papas

56

kristos papasRreth orës 13:10 është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Athinës, kryetari i grupit Parlamentar të partisë Agimi i Artë, Kristos Papas.

Teksa hynte në ndërtesën e policisë, Papas ka përshëndetur në mënyrë naziste dhe ka deklaruar për gazetarët, se ai ndiqet politikisht. “Erdha vullnetarisht. Unë nuk kam asgjë për të fshehur. Qeveria e Memorandumit po bën një persekutim të pashembullt politik. E vërteta do të shkëlqejë dhe nacionalizmi do të fitojë. Ne do të rikthehemi. Përgjithmonë ‘Agimi i Artë’!”, ka bërtitur Papas.

Me dorëzimin e tij, shkon në 6 numri i deputetëve të Agimit të Artë, që ndodhen në duart e drejtësisë, me akuzën për krijim të organizatës kriminale, vrasje, pastrim parash e korrupsion.

Në aktakuzën voluminoze të ngritur nga Prokurori, Agimi i Artë cilësohet si një organizatë kriminale me një veprimtari që fillon që nga viti 1987, ku përfshihen edhe vrasje, e fundit ajo e këngëtarit grek Pavlos Fissas.

Antiterrorizmi arrestoi dje gjithsej 20 persona, nën të njëjtën akuzë, bazuar kryesisht në bisedat telefonike të përgjuara, të cilat shfaqin strukturën hierarkike të Agimit të Artë dhe personat që drejtonin veprimtarinë. Protagonistët janë të lidhur direkt me vrasjen e Pavlos Fissas, me disa vrasje të tjera dhe dhjetëra tentativa për vrasje, kundër të huajve dhe grekëve. Shërbimet sekrete disponojnë të regjistruar edhe një telefonatë që është bërë në drejtim të kryetarit Nikos Mikaloliakos, nga deputeti Jorgos Lagos ose kreu i degës lokale të partisë në Nisë, Jorgos Pateli, vetëm 8 minuta pas vrasjes së këngëtarit Pavlos Fissas në Kerasini.

6 deputetët e vënë në pranga do të qëndrojnë në paraburgim deri të martën, kur do të dëshmojnë para prokurorit, ndërsa 15 të arrestuarit e tjerë do të dëshmojnë të mërkurën.
Ndërkohë që operacioni vazhdon, për zbatimin e 11 urdhërarresteve të mbetura, që ka lëshuar prokurori i Gjykatës Supreme. Sipas gazetës “To Vima” ekzistojnë urdhërarreste edhe për oficerë policie, që janë përfshirë në veprimtari të paligjshme. Në një deklaratë të fundit ministri i Rendit, Nikos Dendias e ka cilësuar Agimin e Artë, “një turli naziste, fashiste, pagane dhe kriminale”.