Ngjarja ka ndodhur paraditen e së martës, rreth orës 11:30, në hyrje të Bulqizës, 10 metra larg spitalit të qytetit, ku biznesmeni Marku është ekzekutuar me kallash. Mbi viktimën është zbrazur një karikator i tërë, madje sipas bluzave të bardha, këmba e majtë i është këputur për shkak të plumbave. Nga breshëria ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar i rastit, i cili ka marrë një plumb në kraharor.
Qerim Marku ishte një emër i njohur për policinë, madje ai njihej si një nga të fortët e Bulqizës. 40-vjeçari Marku, sipas policisë ka qenë me precedentë penalë, pasi rreth 6 muaj më parë, vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes ku ai humbi jetën paraditen e së hënës, ka pasur një shkëmbim zjarri mes dy grupeve rivale për kromin.
Nga hetimet paraprake dyshohet se vrasja e Markut, të ketë lidhje me aktivitetin që ai ushtronte në Bulqizë. Një numër i madh personash, kryesisht dëshmitarë, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje për zbardhjen e ngjarjes.