Takimi është zhvilluar në ambientet e Partisë Socialiste dhe ka zgjatur rreth 90 minuta.
Gjatë takimit është diskutuar mbi situatën e sigurisë dhe rendit publik në vend.
Ambasadori Arvizu pohoi pas takimit se pritshmëritë për qeverinë e re janë të larta dhe në betejën për rend e siguri, kabineti i Edi Ramës do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve.
“Ne po vazhdojmë të kemi konsultime me njerëzit që do të jenë pjesë e Qeverisë. Natyrisht që Ministria e Brendshme është një aktor kyç. Siç e shihni kemi një staf shumë të madh të Ambasadës këtu. Ne folëm për përparësitë programatike, në përpjekje për të përforcuar sukseset që janë arritur, por gjithashtu Qeveria e re ka një mandat të fortë, të mbështetur masivisht nga populli. Ka disa pritshmëri në fushën e reformave. Ne duam të jemi plotësisht mbështetës për axhendën e integrimit europian të Shqipërisë. Ka disa aspekte strategjike por edhe çështje operacionale të ditës. Natyrisht varet nga Qeveria e re, ata janë të ngarkuar, ne jemi këtu për të qenë një partnerë shumë bashkëpunues. Kjo është ajo që do bëjmë, po këshillojmë”,- tha Arvizu.
Ambasadori Arvizu i është përgjigjur edhe një pyetje të Top Channel në lidhje me trafiqet ilegale apo me aspekte të rendit publik, të evidentuara edhe në raportet e Departamentit të Shtetit.
“Kemi biseduar për disa çështje specifike, sepse natyrisht në çdo demokraci ka disa çështje që prekin qytetarët, siç janë nivelet e krimit, korrupsioni. Kemi biseduar për mënyra se si mund të shkëmbejmë eksperiencat dhe ajo që është më e efektshme është parandalimi i krimit. Krimi është një çështje shumë e vështirë. Ne ndeshemi me të, gjatë gjithë kohës në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka një formulë magjike, por gjëja më e rëndësishme është që zoti Tahiri dhe Qeveria e re ta kuptojnë që kjo është një çështje që shqetëson qytetarët shqiptarë, është një çështje për ne, sepse ne duam ta ndihmojmë Qeverinë dhe qytetarët shqiptarë në axhendën e integrimin europian. Pra, për këtë jemi këtu, për të ndihmuar”,- ka deklaruar Arvizu pas takimit.