Taulant Xhaka ka treguar se ka marrë pasaportën shqiptare tri javë më parë, duke konfirmuar se do të luajë për Shqipërinë. Ai gjithashtu përmendi rastin e shokut të tij, Izet Hajroviq, që refuzoi Bosnjën për Zvicrën, ndërsa më pas nuk u ftua nga zviceranët. Ai pranon se konkurrenca te Zvicra është shumë e fortë dhe te Shqipëria ka shanset më të mëdha për ta treguar veten.
Ndërkohë sipas medieve suedeze edhe sulmuesi shqiptar i rritur në Suedi, Agon Mehmeti është shumë afër kalimit në radhët e kombëtares kuqezi. Ai është formuar si futbollist në Suedi te ekipi i Malme, ndërsa para dy vitesh kaloi te Palermo, por duke mos pasur shumë hapësirë u transferua te skuadra e Novaras në Serie B. Mehmeti 23 vjeçar, ka luajtur deri te ekipi U-21 me kombëtaren e Suedisë. Ai në një bisedë për “Sportbladet”, pohoi se është i gatshëm të luaj me kombëtaren e shqiptarëve pasi aty aktivizohet edhe Sajmir Ujkani një ndër miqtë më të mirë të tij. Sulmuesi e pranoi se ka marr një telefonat nga De Biazi dhe se çdo gjë shkoi pozitivisht.
Një tjetër lojtarë që do të luaj në miqësoren e 14 gushtit ndaj Armenisë është edhe Shkëlzen Gashi. Dy ditë më parë në një prononcim për gazetën zviceriane “Brick” ai ka lënë të kuptohet se do të bashkohet më Shqipërinë.
Mesfushori i ekipit zviceran, Grasshopper, me U-21 të Zvicrës ka luajtur nëntë ndeshje dhe ka arritur të shënonte katër gola. Ai po kalon nëpër një formë të mirë në Superligën e Zvicrës. Në tri ndeshjet e para ka realizuar dy gola dhe ka dhuruar një asist. Me skuadrën e Grasshopperit ka kontratë deri në qershor të vitit 2015.