Dhunohet ekipi i Top Channel, që po filmonte pengimin e votuesve të majtë

76

Policia-incidenteNjë ekip i Top Channel në Lac, i cili po punonte për raportimin e procesit elektoral është dhunuar nga një grup njerëzish ende të paidentifikuar. 

Gazetarja e Top Channel Arta Berisha raportoi pak minuta më parë se një grup personash kanë sulmuar fizikisht operatorin Lorik Bajrami, ndërsa i kanë thyer kamerën me të cilën po regjistronte.

Sipas Berishës shkak për këtë sulm është bërë sepse ekipi po xhironte, kur ky grup personash iu thoshte zgjedhësve në qendrën e votimit në Sanxhak, se nëse ishin të majtë nuk mund të hynin të votonin e nëse ishin të djathtë, po.

Ky moment është filmuar nga operatori Bajrami, e me ta pikasur këtë gjë, ky grup personash reagoi menjëherë duke sulmuar punonjësin dhe duke shkatërruar tërësisht kameran.


Gazetarja Berisha dhe operatori Bajrami ndodhen aktualisht në komisariatin e policisë ku po bëjnë edhe një kallëzim për këtë ngjarje, ndërsa Top Channel i bën thirrje Policisë së Shtetit që të gjejë përgjegjësit e këtij akti dhe të reagojë për dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të medias.
/ Top Channel