Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila shpalli të pafajshëm ish-komandatin e gardës Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo.
Në apelimin drejtuar Gjykatës së Apelit, Prokuroria kërkon gjykimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, për akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese ndaj Faik Myrtajt dhe Agim Llupos, për vrasje me dashje në rrethana të rrezikshme të shtetasve Hekuran Deda dhe Ziver Veizi.
Prokuroria, në ankimin drejtuar Gjykatës së Apelit, thekson se akuzën e ngritur e konsideron të provuar mbi bazën e dëshmive të marra në hetimet paraprake dhe gjatë procesit gjyqësor, si dhe nga ekspertizat e kryera dhe administrimi i provave materiale.
Në apelimin e çështjes së 21 janarit organi i akuzës nuk do të ketë as ndryshim të masës së kërkuar të dënimit, 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet burg për Agim Llupon.
Në 7 shkurt, gjykata shpalli vendimin duke i dhënë pafajësi të pandehurve të procesit “21 janarit”, ish komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo.
Prokuroria e Tiranës i akuzonte ata për “vrasje me dashje” të më shumë se dy personave, për shkak të cilësive të viktimave, por gjykata e hodhi poshtë.


