GPI: Bota më pak paqësore, Shqipëria e 69-ta

56

GPI (1)Një botë gjithnjë e më pak paqësore.  Ky është përfundimi i studimit të “Indeksit Global të Paqes 2013”, sipas të cilit rritja e numrit të vrasjeve dhe rritja e shpenzimeve ushtarake nga disa vende janë duke e bërë botën një vend më pak paqësor.

Sipas këtij studimi Shqipëria renditet në vendin e 69-të ndërsa Kosova pozicionohet në vendin e 72, Serbia në vendin e 62, Mali I Zi në vendin e 73 dhe Maqedonia në vendin e 79-të.

Sipas studimit, 110 vende u bënë më pak paqësore në vitin e kaluar, ndërsa 48 vende u bënë më paqësore.

Studimi përmend luftën civile siriane, dhe shpenzimet e rritura ushtarake në Iran, Irak, Afganistan dhe vende të tjera.

Raporti thekson se Rusia dhe Euroazia mbetën ndër rajonet më pak paqësore në botë, prapa dy rajoneve tjera që janë edhe më pak paqësore, Azisë Jugore dhe Lindjes së Mesme e Afrikës së Veriut.

Gjithashtu sipas studimit, Islanda është vendi më i qetë, ndërsa Afganistani është në fund të listës së të qenit paqësor.

Studimi kryhet çdo vit nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe, së bashku me një panel ndërkombëtar ekspertësh të pavarur.