Kur kinematografia komuniste sulmonte klerin katolik

104
Nga Sokol Paja, New York
Pas ardhjes në pushtet, komunistët shënjuan klerin fetar me qëllim nënshtrimin e tij dhe më pas eleminimin gradual. Regjimi komunist bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Në projektin ateist të partisë-shtet, ideologjia fetare nuk mund të mbijetonte në një sistem ku parimi bazë i funskionimit të shtetit ishte ideologjia marksiste-leniniste. Për shkak të nivelit të lartë të formimit intelektual të klerikëve dhe ndikimit që kishin në popull, kryesisht në veriun e Shqipërisë, regjimi komunist vë në qendër të sulmeve klerikët katolik. Propaganda shtetërore ateiste përdorej për të glorifikuar arritjet e regjimit që po instalohej dhunshëm në Shqipëri dhe për të përligjur politikat bolshevike në çdo sektor të organizimit dhe veprimtarisë shoqërore në shtetin diktatorial. Pas gjyqeve publike farsë në salla e kinematë e qyteteve ku kleri linçohej e akuzohej pa prova e fakte, pasi i pushkatoi, i burgosi dhe i internoi, pasi u konsfiskoi pronat, mediat, shkollat e shtypshkronjat, nevojitej linçimi propagandistik nëpërmjet artit, letërsisë e kinematografisë. Propaganda kundër klerit kaloi tashmë nga veprimet fizike dhe ligjore në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, në shfaqje teatrale, skenike dhe kinematografike me qëllim bindjen e masave punonjëse për domosdoshmërinë e eleminimit të fesë. Komunistët, në kuadër të realizimit të “njeriu të ri” komunist dhe shoqërisë ateiste, nuk e pranonin dot zotin, pasi në projektin e tyre ideologjik, zoti po zëvendësohej me liderin e partisë shtet, diktatorin Hoxha. Cdo pëprjekje për opozitë apo qëndrin kundër raprezaljeve shtetërore ndaj klerit, likujdohej me plumba. Figura e klerikut katolik poshtërohet në kinematografinë shqiptare të kohës duke e nxjerrë si nëvojë jetike eleminimin që komunistët i bënë klerit dhe instucioneve fetare. Në filmin “Shembja e idhujve” prodhim i vitit 1977 nga “Shqipëria e re”, prifti i fshatit Kalcë, Kelmend, Malësi e Madhe, Frat Engjëlli paraqitet si zhvatës i pasurisë së fshatarëve, si ngatërrestar, si bashkëpunëtor i fashizmit, si mbështetës i politikës së Mbretit Zog, si parapërgatitës e mbështetës i pushtimit italian të Shqipërisë, fetarizimin e arsimit publik, pengues i zhvillimit arsimor e kulturor të vendit etj. Sa më shumë që të poshtërohej figura e klerikut në kinematografi aq më shumë krijohej ideja e komunistëve në masat punonjëse se eleminimi i fesë kishte qenë një domosdoshmëri jetike për regjimin e ri. Në filmin “Komisari i Dritës” i prodhuar nga “Shqipëria e re” më 1966 vë në qëndër Dom Palin një klerik katolik në malësinë e Mirditës i cili sipas propagandës ateiste pengonte zhvillimin komunist të Shqipërisë së asaj kohe duke bashkëpunuar me bajraktarët e zonës kundër vendosjes së regjikmit diktatorial. Dom Pali paraqitet në film si imoral, refraktar, nxitës i kryengritjeve kundër regjimit komunist, kundërshtar i thekur i regjimit, mbështetës i fashizmit, nxitës i vëllavrasjeve në malësi, mbajtjen e shoqërisë në prapambetje etj. Përveç kinematografisë që dha një ndihmëse të jashtëzakonshme në luftën e shtetit komunist ndaj fesë, në shërbim të aksionit ideologjik u vunë edhe letërsia e teatri, ku dramat dhe shfaqjet e ndryshme teatrale shënjestronin klerin dhe institucionet fetare si tradhtar dhe armiq të botëkuptimit materialist, bolshevik e marksist-leninist. Kinematografia në shërbim të propagandës ateiste duke ironizuar e sulmuar klerikët dhe institucionet fetare u dha një ndihmesë të çmuar komunistëve shqiptar në ndërtimin e njeriut dhe shtetit pa Zot.