Kotzias: Ja si funsionojnë mekanizmat e fondeve sekrete

60

Në intervistën e tij të parë televizive, ish ministri i jashtëm Nikos Kotzias ka shpjeguar se si funksionon mekanizmi i fondeve sekrete.

Kotzias e ka bërë këtë në përgjigje të akuzave që lëshoi kundër tij ministri i Mbrojtjes, se ka keqpërdorur këto fonde, duke aluduar për korrupsion.

Kotzias tha se ai si ministër vendosi hartimin e një ligji mbi kontrollin e fondeve sekrete. Sipas tij, një shërbim i ministrisë bën propozimin se ku duhet të jepen dhe propozimi t’i shkojë parlamentit.

Nikos Kotzias: “Aty duhet të ketë një komision nga kryesia e parlamentit -ndoshta përbërja e tij është aktualisht e madhe- prandaj ndodhin dhe këto “rrjedhje” në shtyp. Dhe fondi do të mund të tërhiqet nga llogaria bankare vetëm nëse do të ketë vendime të veçanta nga parlamenti për secilin nga propozimet”

Sipas Kotzias, kjo garanton se “nuk kalon asnjë ‘grosh’ nga ministri apo kryeministri.

Nikos Kotzias: “Ne krijuam një komision në ministri që kryesohet nga sekretari i përgjithshëm, i cili ka statusin e nëpunësit civil nuk është një emërim politik, dhe ka në përbërje dy ambasadorë të nivelit të lartë. Komisioni merr edhe mendimin e ministrit. Disa fonde janë konstante prej vitesh. Shuma e fondeve tona ishte sa 1/7 në raport me të kaluarën, sqaroi Kotzias.

Duke shpjeguar se si procedohet më tej, ish ministri i jashtëm grek tha se komisioni merr vendim me shkrim dhe i dërgon dokumentat në parlament.

Nikos Kotzias: “Meqë dy herët e para parlamenti nuk e dinte se si funksiononte, shkuan vetë diplomatët tanë dhe dhanë shpjegime. Pastaj, herën e tretë, të katërt, të pestë e të gjashtë në dy vitet që po funksionon, u dërguan dokumentet dhe nëse kishte ndonjë pyetje, shkonte një diplomat dhe jepte sqarime. Përkundër dy herëve të para, nuk ka pasur më pyetje nga parlamenti. Rrjedhimisht, parlamenti i shqyrton fondet sekrete se ku shkojnë, po të konstatojnë probleme ia shtrojnë kryetarit të parlamentit ose neve dhe po nuk pati problem, i miratojnë. Dhe pasi miratohen, atëherë i merr paratë ministria e jashtme, nuk i merr ministri i jashtëm, nuk kalojnë nga xhepi i tij. I merr drejtoria përkatëse. Nëse i japim për të eksploruar Antraktidën, i merr drejtoria e Antraktidës – që të mos them emra shtetesh konkretë. Po të jetë se si do të thyejmë rekordin botëror në kërcimin trehapësh, i merr drejtoria që është e ngarkuar me sportet”

Kotzias i ka quajtur të rreme publikimet se fonde sekrete janë dhënë edhe në Shqipëri.

“U bë një lajm i rremë, se shkuan fonde në Shqipëri”

Atëherë ndërhyn gazetari, duke iu referuar reagimeve në median shqiptare.

Gazetari: “Parti në Shqipëri, që i konsiderojmë të dëmshme negociatat me Greqinë, që shtrojnë çështjen çame, thonë “ç’ punë ka Greqia të ndërhyjë në politikën tonë të brendshme”.

Nikos Kotzias: E dini çfarë ndodhi? Në Shqipëri, kush ka qasje pozitive ndaj Greqisë, akuzohet që pardje se është “i kapur”. Dhe si është i kapur? E thotë dhe vetë partneri i qeverisë

Këtu Kotzias e ka fjalën për ministrin e mbrojtjes, Panos Kammenos, i cili në mbledhjen e këshillit të ministrave -pas të cilës Kotzias dha dorëheqjen- tha ndër të tjera se “qeveria greke merr para nga Soros që të blejë të huajt”.

“Këto u thashë dhe në mbledhjen e qeverisë, që këto nuk janë lojëra. Vendi ynë duhet të bëhet serioz. Këta budallenj, naivë dhe tradhëtarë, që përpiqen të nxjerrin lajme të rreme ose jo se ku shkojnë fondet sekrete te vendit, i kap neni për “tradhëti kombëtare”.