Gjyqtari Shkëlqim Miri është në hetim pasi akuzohet se ka ndikuar në lirimin e Gentian Dodës, i dënuar me 20 vjet burg për dy vrasje, falë ndryshimit të klasifikimit të veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë”.
Prokuroria kërkon arrest me burg ndaj gjyqtarit. Seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Gjyqtari u ndalua mbrëmjen e 9 nëntorit pasi “ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme.
Në këtë operacion, në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Shkelqim Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash.” deklaronte policia një ditë pas ndalimit. Gjatë kontrollit të banesës së gjyqtarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë
Në kuadër të operacionit të koduar “Një vrasje e dytë” u ndalua edhe Kujtim Miri dhe Alban Buci.