FMN të dhëna pozitive, shërohet ekonomia shqiptare

71

FMN-JAEkonomia shqiptare duket se po shkon drejt shërimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit, thekson se rritja ekonomike për vitin 2014 do të jetë 2.1%.

Në raportin “Rimëkëmbja fuqizohet, por dobësitë mbeten”, ekspertët e FMN-së, parashikojnë  se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2014 do të jetë 2.1%, pas një rritje prej vetëm 0.7% në 2013-n.

Performanca e ekonomisë vendase, që në 2013-n kaloi vitin e saj më të keq në një dekadë, pritet që në  2015-n të jetë e qëndrueshme. Ekspertët e FMN-së parashikojnë që në 2015-n, rritja të jetë 3.3%. Në vitin 2019, rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të jetë 4.7%.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar Shqipëria u rrit shumë më pak se mesatarja prej 2.8%, shënuar në pjesën e Evropës në zhvillim.

Nga vendet e Ballkanit, Shqipëria shënoi rritjen më të ulët vitin e kaluar, me përjashtim të Kroacisë, e cila u tkurr me 1.1%. FMN thotë se për një afat të gjatë kohor, rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë më e madhe  se mesatarja e Evropës në zhvillim.