Vendimi i kushtetueses për nëpunësin, PD: Qeveria kërkon ta anulojë me ligj të ri

54

oerd byPartia Demokratike denoncoi sot tejkalimin me 8 ditë të afatit ligjor të botimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fletoren zyrtare. Deputeti i kësaj partie, Oerd Bylykbashi, tha se ky vendim po mbahet peng me urdhër të Kryeministrit, me qëllim që ky vendim të mos marrë fuqi derisa mazhoranca të votojë edhe anullimin e këtij vendimi.

“PD denoncon para opinionit publik mbajtjen peng dhe mosbotimin nga qeveria të vendimit të gjykatës Kushtetuese të datës 5 shkurt që shpalli si antikushtetues aktin normativ për nëpunësin civil.Kushtetuta përcakton se vendimi hyn në fuqi pasi botohet në Fletoren Zyrtare, ligji detyron qëndrën e botimeve zyrtare ta botojë atë brenda 10 ditësh, gjykata kushtetuese e ka dërguar vendimin të zbardhur që në datën 5 shkurt. Sot kanë kaluar 8 ditë nga skadimi i afatit 15 shkurt dhe vendimi vazhdon të mbahet peng me urdhër të Kryeministrit, ndërkohë që janë botuar akte me datë më të vonshme se vendimi i gjykatës. Qëllimi i vetëm është që ky vendim të mos marrë fuqi derisa mazhoranca të votojë edhe anullimin e vendimit të gjykatës kushtetuese dhe këtë anullim ta bëjë me ligj. Ndërkohë që mijëra vetë janë larguar nga puna në mënyrë antikushtetuese, qeveria vazhdon me largimet e paligjshme me pretendimin se vendimi i gjykatës nuk ka hyrë në fuqi” tha ai.

Duke e cilësuar një pengmarrje mafioze të shtetit dhe gjykatës, Bylykbashi tha se pengimi i zbatimit të vendimit të gjykatës përbën vepër penale dhe dënohet nga kodi penal. Ai siguroi se PD do të kërkojë vënien para drejtësisë të përgjegjësve dhe urdhëruesve të këtij skandali të parecedentë.

“Kjo është një pengmarrje mafioze e shtetit, kushtetutës, ligjit dhe gjykatës nga kryeministri Rama. Ky akt është përdhosja më e rëndë ndaj Kushtetueses dhe gjyqësorit në përgjithësi. Kjo pengmarrje e vendimit të gjykatës është pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës, përbën vepër penale dhe dënohet nga kodi penal. Përgjegjësi direkte për këtë mban Drejtoresha e qëndrës së botimeve zyrtare dhe Ministri i Drejtësisë që e ka atë në varësi. Përgjegjësi mban Kryeministri dhe qeveria e tij që janë dirigjent të këtij skenari të shëmtuar antiligjor dhe antikushtetues në realizimin e planit të tyre për ta vënë administratën nën kontroll partiak. PD i siguron personat përgjegjës direkt, por dhe urdhëruesit e tyre se do të kërkojmë deri në fund drejtësi për këtë skandal të paprecedentë” përfundoi deputeti demokrat.